Pikat e dobëta të planit: lejon prishjen e pallateve 5-katëshe ndërtuar para ‘90, intensitetet selektive


Lorina Mixha


Plani urbanistik i qytetit të Tiranës ka disa pika të dobëta, të cilat paraqesin rëndësi të madhe para se të dërgohet për miratim në KRRTRSH. Këshilltarët e majtë bashkiakë sot do të paraqesin sugjerimet e tyre në mbledhjen e këshillit bashkiak, ndërkohë që do të kërkojnë ndryshime para se masterplani të kalojë për miratimin përfundimtar.


“Nga prezantimi me harta në korrik 2012 në hartat e sotme ka rritje selektive të intensiteteve. Plani nuk jep zgjidhje, por lë shumë çështje të hapura: koeficientet, intensitetet, vijat e ndërtimit, përcaktohen në planin e detajuar”, tha Gent Gazheli, këshilltar i majtë i parlamentit vendor. Sipas tij, ky plan i detajuar sipas ligjit mund të ndërmerret dhe nga subjekte private, por rregullorja ka i ka lënë bashkisë një mundësi që plani të hartohet me 2 faza ku të drejtën e fazës së parë e ka bashkia.


Plani dhe zonat e Tiranës, të cilat kanë një mbingopje me ndërtime, i lë të hapura për ndërtime të reja, të cilat domosdoshmërisht do të zhvillohen në territoret e gjelbra.


“Plani bazohet në unazat e para ’90, po i sposton siç është rasti i unazës së 2 e cila për të evituar prona të caktuara prezupozohet të prishë pallat 5-katëshe të para viteve ‘90. Kostot e planit nuk janë të prezantuara në asnjë nga dokumentet e deritanishme. Plani nuk ka programin e rehabilitimit të personave të zhvendosur dhe mënyrën e trajtimit të këtyre banorëve, të cilët preken nga zhvillimet e infrastrukturës”, argumenton Gazheli.


Sipas tij, të dhënat e analizës janë të 2004-s, pra ky plan nuk reflekton gjendjen ekzistuese.


Dëshmi tjetër e mosreflektimit të gjendjes ekzistuese është pohimi për zonat e caktuara që kanë ndërtime me dendësi të mesme në 30% të tyre kur këto zona kanë vetëm ndërtime 5-6 katëshe me disa ndërhyrje sporadike 9 e më shumëkatëshe.


 


Rimbursimi


Plani nuk ka programin e rehabilitimit të personave të zhvendosur dhe mënyrën e trajtimit të këtyre banorëve, të cilët preken nga zhvillimet e infrastrukturës


 


Masterplani


 


Platforma fiskale, investime


200 milionë euro brenda 4 vjetëve


Platforma e infrastrukturës është tërësisht e realizueshme bazuar në rezultatet realiste të pritshme të platformës fiskale të bashkisë. Platforma fiskale mundëson rritjen e investimeve 3-4 herë me fondet buxhetore bashkiake, si dhe 5-6 herë si rezultat i rritjes së aftësive kredimarrëse. “Përllogaritjet në total tregojnë se nëpërmjet përdorimit të këtyre fondeve bashkia, për 4 vitet e ardhshme, do të ketë një kapacitet investues


prej të paktën 200 milionë euro në 4 vitet e ardhshme, ndërkohë që në 4 vitet e kaluara bashkia me mjetet e saj ka investuar më pak se 50 milionë euro”, thuhet në dokumentin e planit urbanistik, Politika e Zhvillimit të Territorit të Bashkisë Tiranë.


Sipas ekspertizës të parashtruar në masterplan përdorimi i instrumenteve të partneritetit publik e dyfishon kapacitetin vetjak të bashkisë. Sektori privat ka demontuar në potencial të jashtëzakonshëm, ndaj administrimi i ri bashkiak do të devijojë përdorimin e kapitaleve private nga ndërtimi pa kriter i banesave drejt investimeve në infrastrukturë, të cilat paraqesin interes edhe për shkak të kthimit të sigurt të kapitalit.


Sipas përllogaritjeve të bashkisë në rrjetet infrastrukturore të kryeqytetit do të investohen së paku 1,5 miliard euro në 4 vitet e ardhshme. Kjo platformë infrastrukturore gjithëpërfshirëse do të shumëfishojë mundësitë e investimit të biznesit privat, shqiptar e të huaj, duke mundësuar në dy vitet në vazhdim krijimin e 30 mijë vendesh pune brenda qytetit dhe të më shumë se 100 mijë vendesh pune në hapësirën metropolitane të Tiranës. Lo.Mi


 


Som


Masterplani: Në 2015-n hapen 100 mijë vendesh pune në hapësirën metropolitane të Tiranës


Probleme të planit urbanistik


Arkitektët dhe urbanistët në një mbledhje mbajtur dje në selinë e Partisë Socialiste kanë diskutuar mbi problematikën e planit urbanistik. Sipas anëtarit të asamblesë së PS-së, Artan Lame, njohës i trashëgimisë kulturore, masterplani ka probleme dhe mungesa në dokumentet e tij.


Probleme


– Densiteti i lartë i ndërtimeve


– Mungesa e zonave dhe sipërfaqeve të gjelbra


– Bllokimi i qarkullimit rrugor.


– Mungesa e zonave sportive, rekreative etj.


– Atraksioni gati inekzistent turistik, për shkak të bjerrjes së trashëgimisë kulturore.


Popullsia


Censusi i kryer vjet na dha një rezultat në rënie të popullsisë së vendit në këta 10 vjet prej rreth 4-500.000 banorësh. Pra jo që nuk po shtohemi, por po pakësohemi.


 


Popullsia e Tiranës kaloi nga:


1989 – 250.000


2011 – 650.000


2030 – 1.000.000


Pra plani parashikon një shtim popullsie prej rreth 400.000 banorësh në 20 vjetët e ardhshëm, që nuk justifikohet me asgjë.


Aktualisht, Tirana sipas censusit ka rreth 22.000 banesa bosh, të pashitura, ose shtëpi të dyta. Do të mjaftonin këto banesa për të strehuar shtesën natyrore të Tiranës, e cila është aktualisht rreth 12.000 në vit.


Zonat e Gjelbra


– Zhduk gati të gjitha zonat e gjelbra brenda qytetit, duke u hequr kufijtë atyre. Në vend të parqeve dhe lulishteve me kufij të përcaktuar, flet vetëm për pika ku duhet të ketë një lulishte (!). Lulishte që zhduken:


Parku prapa Pallatit të Kulturës


Parku i Namasgjasë


Zona e gjelbër te SHQUP-i


Parku i Fushës së Aviacionit.


Qyteti Studenti


Zona poshtë Digës.


– Fshin zonat e gjelbra brenda qytetit duke i transferuar ato virtualisht nëpër komunat përreth Kamzë, Kashar, Farkë, Mullet, Dajt.


– Betonizon deri edhe skarpatet e Lanës të konsideruara si “korridori i gjelbër i qytetit”.


Të mos harrojmë se një pjesë e mirë e zonave të gjelbra të mbetura përreth Tiranës po zihen që tani nga institucione ndërkombëtare. Kështu:


-Në Parkun e Liqenit përgjatë rr. Elbasanit, Ambasada Turke.


-Nën Varrezat e Dëshmorëve, Ambasada e Kuvajtit.


Zonat e Mbrojtura


– Plani zhduk gati të gjitha zonat e mbrojtura aktuale (zona e Vilave në rr. e Elbasanit, zona e Bllokut, Zona te Shtëpia e Partisë, Zona e Gardës etj).


– I vë kazmën VKM.180 të vitit 2000, që mund të konsiderohet si një prej arritjeve më të mëdha në fushën e mbrojtjes në trashëgiminë kulturore në këtë çerekshekull të fundit.


Intensiteti i ndërtimeve


– Ngre në mënyrë të ekzagjeruar intensitetet e ndërtimit.


– Heq kufirin e kateve dhe të lartësisë së godinave.


– Fsheh një pjesë të zonave më delikate, duke mos dhënë asnjë detaj se çdo bëhet me to dhe duke i fshehur prapa termit “Zonë me rregullore të veçantë”.


– Plani intensifikon në kufijtë e marrëzisë intensitetin e ndërtimit në qendër, por nga ana tjetër e le atë shumë të ulët në zonat informale.


Kjo do të bëjë të pamundur intensifikimin e ndërtimeve në këto zona. Plani me qëllim i bllokon këto zona në mizerje me qëllim që të shiten pallatet që do të ndërtohen në qendër.