Denoncimi
Deputeti Balla theksoi se socialistët nuk do të ndalnin akuzat
Një ditë pasi fëmijët e Kryeministrit Berisha akuzuan Partinë Socialiste për shpifje ndaj pasurisë së tyre, PS vijoi sulmin ndaj tyre i kujtuar se pas pak kohe do të përballeshin me drejtësinë. Deputetit socialist, Taulant Balla, theksoi dje se ishte e turpshme që Argita dhe Shkëlzen Berisha kërcënonin opozitën dhe kryetarin e saj, me qëllimin e vetëm të mbylljes së gojës ndaj milionave që ata shtonin për çdo vit. “Jam thellësisht i keqardhur që Argita dhe Shkëlzen Berisha reaguan vetëm duke shpifur për kryetarin e Partisë Socialiste dhe jo duke sqaruar si e kanë vënë pasurinë e tyre përrallore. Aq më keq që kërcënuan me një tjetër proces gjyqësor, në vazhdën e gjyqeve që kanë hapur me opozitën, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të kotë për të na mbyllur gojën”, e nisi Balla deklaratën e tij. Deputeti socialist theksoi se dy fëmijët e Kryeministrit, përpara se t’i jepnin shpjegim drejtësisë për të ardhurat e tyre të pajustifikuara, duhej që më parë t’u jepnin llogari qytetarëve shqiptarë për shumat që deklaronin. “Meqenëse Argita dhe Shkëlzeni po qahen se ne thjesht po komentojmë të çuditur deklaratat e tyre të pasurisë, pse të mos u tregojnë qetësisht shqiptarëve si mund të jepen tërë këto shtëpi me qira e si mund të mblidhen tërë këto para në këto kohë krize, ndërkohë që shqiptarët që s’kanë lidhje me oborrin e babait të tyre vuajnë për bukën e gojës! 42 milionë lekë vetëm qira. Ata i detyrohen një shpjegim mësuesve të thjeshtë: Si ka mundësi që Argita dhe bashkëshorti i saj fitojnë 210 milionë lekë në një vit të vetëm nga mësimdhënia, ndërkohë që mësuesia në këtë vend të qeverisur nga babi i Argitës është kthyer në një profesion të varfër?”, pyeti Balla gjatë deklaratës për shtyp. Ai theksoi se PS jo vetëm që nuk do të ndalte denoncimet, por se atyre u kishin mbetur dhe shumë pak ditë nga përballja reale me drejtësinë e vendit. “Prandaj o kalamajtë e babit ju mund të hapni gjyqe të tjera dhe madje edhe t’i fitoni ato me ushtarët e korruptuar të babit në gjykata, po s’mund ta mbuloni të vërtetën e hidhur të qeverisjes së stërkorruptuar të babit tuaj! Ju e dini mirë, se ju ka mbetur edhe shumë, shumë pak kohë, pak muaj, pak javë, pak ditë, deri sa t’Ju duhet të përballeni edhe ju me drejtësinë, me drejtësinë e pavarur, me drejtësinë që punon për shqiptarët dhe Shqipërinë tonë, jo për babin tuaj”, deklaroi Balla në përfundim të deklaratës së tij.
PD: Rama me sulmet ndaj pasurisë, po mundohet të fshehë dështimin që i bëri statusit
Partia Demokratike e akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, se sulmet ndaj fëmijëve të Kryeministrit vinin vetëm si rezultat i nevojës për të mbuluar pengimin që ai i bëri për herë të tretë statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, deklaroi se si zëdhënës së kësaj fushate po shërbenin njerëz të akuzuar për trafiqe droge dhe larje parash të pista, sharës të paguar që i fshihen si minj drejtësisë. Po kështu, PD kërcënon Ramën me publikimin e aferave të tij gjatë kohës që ishte drejtues i Bashkisë së Tiranës. “Partia Demokratike e siguron atë se do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramendëse, për gjobat 20%-she për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës, si dhe vjedhjet e tjera të anturazhit te të cilat z. Rama mendon se mund t’i zhurmojë duke shpifur dhe trilluar për të tjerët”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.