Demokratët të sigurt se nuk preken nga heqja e mandatit në këtë qark
Pavarësisht se komisioni hetimor i kërkuar nga PS-ja u refuzua nga PD-ja, socialistët shprehin bindjen se nga shtatë mandate, do të fitojnë pesë prej tyre në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. “PS-ja në Qarkun e Beratit do të marrë pesë deputetë. I ka të gjitha mundësitë, të gjitha forcat dhe votat. Ne do të marrim të pestin në Berat, pavarësisht nëse do të jenë shtatë apo tetë deputetë”, u shpreh për “AS TV”, Fidel Ylli, deputet i PS-së. Por nuk ndan të njëjtin mendim deputeti i PD-së në Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi. Ai ndan mendimin se nuk preket PD-ja nga heqja e një mandati, duke nënkuptuar se mund të fitojnë më shumë se tre deputetë në 2013-n. “Nuk merakosem fare. Unë si deputet i PD-së dhe forca politike që përfaqësoj, nuk prekemi fare nga ky ndryshim. Do të ketë një fitore shumë herë më të madhe dhe të thellë, ku ne pretendojmë të rrëmbejmë dhe një mandat tjetër në Qarkun e Beratit”, tha Lefter Maliqi, deputet i PD-së. Deklarata të ndryshme ka edhe nga ana e deputetëve të Qarkut të Kukësit. Socialisti Asllan Dogjani shprehet i sigurt për fitore të partisë që ai përfaqëson në këtë qark, pavarësisht se shihet si një bastion i PD-së. “Sigurisht që PS-ja në Kukës do të fitojë se nuk mund të mashtrohen më. Njerëzit nuk kanë bukë të hanë. Personalisht e di lëvizjen e popullsisë nga Kukësi, vetëm ata që nuk kanë mundësi të ikin rrinë në Kukës. Se nuk kanë mundësi, prandaj. Kush ka pasur një farë mundësie ka ikur, sepse atje është abuzuar me qytetarët, varfërinë”, tha Dogjani. Deputeti i PD-së, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i lidh këto përplasje me frikën që PS-ja ka, duke e akuzuar opozitën se po shfryen mllef ndaj kuksianëve. “Ata kanë dëshirën e tyre për të sulmuar dhe për të shfryrë mllef ndaj banorëve të Qarkut të Kukësit, pasi ata nuk e votojnë PS-në. Kanë gjetur mënyrën e tyre për të sulmuar dhe për të bërë presion”, tha ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, lëvizjet e popullsisë sjellin një rishpërndarje të deputetëve në çdo qark. Kështu, Berati dhe Korça penalizohen duke humbur një mandat, i cili do t’i kalojë respektivisht Durrësit dhe Tiranës. Beratit i hiqet një mandat, nga 8 që kishte në zgjedhjet e kaluara të 29 qershorit. Ndërsa Kukësi mbetet me katër mandate, porse opozita aludon për rritje fiktive të popullsisë, me qëllim marrjen e një mandati nga Qarku i Beratit.