Spanjë
Lënia në stol e Kasijasit për ndeshjen e humbur ndaj Malagës ka provokuar polemika
Gazeta “Marca” pyeti: E drejtë apo jo kjo me Kasijasin? Mbi 80 për qind e rreth 37 000 votuesve u përgjigjën “Jo”
Çdo të ndodhë tani me Zhoze Murinjon. Ai vetë nuk do të japë dorëheqje, por largimi i tij duket vetëm çështje kohe
Ju kujtohet Zhoze Murinjo, ai që mund të zgjidhte çdo situatë duke e kthyer atë në favorin e tij. Ai ka humbur në këtë sezon. Shifrat janë kundër “Special One”, që është kthyer në protagonistin e një rekordi negativ në historinë e një prej skuadrave më të titulluara në botë. Humbja e fundit, 3-2 kundër Malagës, e ka thelluar në 16 pikë diferencën me Barcelonën. Edhe në kohët më të këqija të klubit, madrilenët nuk e kanë parë kurrë veten kaq larg. Ndeshja e fundit kundër Malagës ka zyrtarizuar përçarjen në skuadër. Murinjo la në stol portierin dhe kapitenin e Realit të Madridit, Iker Kasijasin. Stadiumi i Malagës nuk e priste. Veçse lojtarët e Realit të Madridit që po dilnin në fushë e dinin, madje prej ditësh. Zhoze Murinjo shkoi drejt stolit si në çdo ndeshje tjetër të karrierës së tij si trajner, veçse habia e tronditja ishte e plotë kur aty u ul edhe ai, kapiteni, portieri dhe idhulli i shkëlqyer, Iker Kasijas. Ç’kishte ndodhur? Aty në impiantin e Malagës binte erë luftë. Presidenti i plotfuqishëm Florentino Perez u kap mat nga fotografët, ndërsa tregonte habitjen e tij kur lexohej formacioni i Realit për këtë ndeshje. Në fushë lojtarët dhanë atë që menduan se ishte gjithçka e tyre, veçse nuk mjaftoi. Tronditja dukej qartë në fytyrat e tyre. Mjaftonte të shiheshin Kristiano Ronaldo apo ylli tjetër, Mesut Ozil. Te Murinjo tensioni dukej qartë, ndonëse përpjekja ishte maksimale për ta fshehur. Portieri Adan, ai që zuri vendin e Kasijasit, duhet të ketë ndier presion të pafund, ndërsa ishte krejt pa faj. Humbja 2-3 dhe diferenca ndaj Barçës, tani plot 16 pikë, thjesht e rënduan edhe më shumë gjendjen. Në rrezik edhe vendi i dytë, pasi Atletiko është 7 pikë larg. Menjëherë pas ndeshjes, sondazhet në media ishin të qarta. Gazeta “Marca” pyeti: E drejtë apo jo kjo me Kasijasin? Mbi 80 për qind e rreth 37 000 votuesve u përgjigjën “Jo”. Vendim teknik apo disiplinor, ishte pyetja e gazetës tjetër të Madridit, “As”. Përgjigjja e 44 mijë vetave ishte e qartë: Disiplinor. Deri edhe kapiteni i dytë, Sergio Ramos, lëshoi fjalë kritike, ndërsa legjenda si Valdano apo Guti ishin krejtësisht kundër trajnerit. Çdo të ndodhë tani me Murinjon. Ai vetë nuk do të japë dorëheqje, por largimi i tij duket vetëm çështje kohe.