Kryeparlamentarja, luftë ndaj deputetit të FRD, e heq nga Komisioni i Sigurisë
Rregullorja – “Kushtetuta” e Kuvendit parashikon që lëvizja e një deputeti nga një grup në një grup tjetër nuk mund të realizohet jo më pak se 6 muaj
BLEDAR HOTI
Lufta mes PD-së dhe FRD-së duket se po merr përmasa të mëdha jo vetëm në bazën e demokratëve, por edhe në Parlamentin shqiptar. I vetmi deputet i FRD-së, Gazmend Oketa, i shkëputur nga PD-ja, po vazhdon prej javësh të jetë pre e sulmeve të mazhorancës. Tashmë sulmi i fundit lidhet me faktin e heqjes nga emri në mënyrë automatike nga grupi i PD-së, dhe të vendosjes së tij në listën e deputetëve të pavarur, të paangazhuar në grupe parlamentare. Sipas Rregullores së Kuvendit, nëse një deputet ndryshon grup parlamentar, atëherë lëvizja ndodh vetëm pas gjashtë muajsh. “1. Deputetët mund të formojnë grupe parlamentare sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik. 2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit. 3. Kur numri i deputetëve të një grupi parlamentar bie nën numrin e parashikuar nga pika 2 e këtij neni, grupi pushon së ekzistuari”, thuhet në nenin 15 të Rregullores. Paradoksi ndodh në anën tjetër kur Kastriot Islami, i përjashtuar nga PS-ja, një vit, por që për drejtuesit e Kuvendit ai vazhdon të jetë pjesë e grupit parlamentar më të madh të opozitës. Në faqen zyrtare të Kuvendit, Islami figuron si pjesë e grupit parlamentar të PS-së, i renditur i 41-ti. Ish-deputeti i PS-së prej kohësh nuk po mban linjën e opozitës, madje ai ka votuar disa projektligje pro qeverisë. Sulmi ndaj Oketës ka vijuar akoma më tej, kur PD-ja u hakmor duke e hequr nga përfaqësimi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Kjo edhe për shkak të raporteve fraxhile mes mazhorancës dhe opozitës në këtë komision shumë të rëndësishëm të Kuvendit. Në vend të tij, PD-ja emëroi deputetin demokrat, Bedri Hoxha. Oketa tashmë mbetet anëtar vetëm në komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme. Mazhoranca, ndërkohë ka caktuar një tjetër deputet të sajin në këtë komision për të ‘dubluar’ votën e Oketës. PD dhe FRD kanë përplasjet dhe në bazë. Shumë anëtarë të PD-së, të pakënaqur kanë shprehur dëshirën për t’u bashkuar me partinë që udhëhiqet nga ish-presidenti Bamir Topi. Një rrjedhje e tillë vërehet dukshëm në Tiranë, ku në të gjitha njësitë bashkiake PD-ja po ka humbje të anëtarësisë. Kreu i degës së Tiranës, Sajmir Shehri, deklaroi dy ditë më parë për “Shqip” se FRD-ja tashmë ka një bazë të fuqishme në qendrën e Tiranës, rrethinat e saj dhe në komunat që e përbëjnë qarkun më të madh në vend, i cili, sipas ndarjes së re, pritet të dërgojë 34 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. “Të regjistruar kemi 4715 anëtarë me karta, por mund të them se realisht ky numër mund të shkojë në trefishin e kësaj shifre, por shumë anëtarë tanët ende nuk janë bërë de jure, pasi ka presione nga partia në pushtet në lidhje me vendet e punës”, thekson Shehri. Ai bën të ditur se pikat më të forta të Frymës së re Demokratike në kryeqytet janë përgjithësisht zonat e quajtura bastione të së djathtës, thënë më shkoqur, “zemra e Tiranës”, si njësia numër 8, njësia numër 9, njësia numër 2 dhe ajo numër 5. Në fakt, në zonën 8 ka nisur prej kohësh një “rebelim” në PD, ku disa anëtarë të rëndësishëm të mazhorancës kanë shpallur largimin në mënyrë demonstrative për shkak të pakënaqësive të shumta.