Kompania i shkruan ERE-s: Jemi keq financiarisht. Kufizime të zgjatura në rang vendi


Disa lagje të Tiranës janë duke përjetuar prej disa ditësh kufizime pa orar të energjisë


ARD KOLA


Në prag të festave të fundvitit, shqiptarët rrezikojnë të mos kenë furnizim normal me energji elektrike, për shkak se shoqëria që menaxhon sistemin e shpërndarjes nuk është në gjendje të mirë financiare, fakt për të cilën janë vënë në dijeni autoritetet shqiptare. Një ditë pas presionit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), që nuk do të tolerojë kufizime të energjisë elektrike, CEZ Shpërndarje reagon duke bërë të ditur se gjendja financiare nuk i mundëson akses për të ofruar shërbim cilësor, përfshi edhe furnizim normal me drita.


“Angazhimi kryesor i kompanisë mbetet furnizimi me energji elektrike i klientëve të rregullt dhe po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për t’iu përmbajtur këtij angazhimi, por bllokimi i vazhdueshëm i llogarive bankare të kompanisë nga institucionet shtetërore, përfshi ERE-n, KESH-in dhe OST-në, e ka bërë pothuajse të pamundur kryerjen e çdo shpenzimi operativ për mirëmbajtjen e rrjetit dhe riparimin e defekteve”, bëri të ditur shoqëria CEZ. Bllokimi i llogarive bankare është marrë me vendim gjykate nga përmbaruesit privatë, me kërkesë nga institucionet në fjalë, të cilave CEZ u ka borxhe. Kështu, ndaj KESH-it i detyrohet rreth 150 milionë euro, ndaj OST-së afro 35 milionë euro (detyrime të krijuara nga shërbimet e ofruara për furnizim dhe transmetim nga këto shoqëri te CEZ), si dhe gjobën 3 milionë euro të papaguar ndaj ERE-s.


CEZ ShperndarjaSikur të mos mjaftonin problemet financiare të shoqërisë çeke, duket se bllokimi i llogarive bankare e ka komplikuar më tej situatën me operacionet në terren për rregullimin e defekteve. Për shkak të këtij bllokimi te të gjitha bankat, shoqëria e kishte të pamundur të zhdoganonte në kohë reale 100 transformatorët në Doganën e Durrësit, pasi nuk kishte mundësi të paguante.


CEZ Shpërndarje thotë se prej disa muajsh e ka informuar Entin Rregullator të Energjisë dhe autoritetet përkatëse, përfshi METE-n, mbi situatën e vështirë me të cilën kompania do të përballej nëse nuk merreshin masat përkatëse për të ndryshuar aktet rregullatore me efekte shkatërruese për financat e shoqërisë dhe rrjedhimisht në cilësinë e shërbimit të ofruar.


Në letrën që kompania i ka dërguar javën e kaluar ERE-s, thuhet se, “si rrjedhojë e situatës së vështirë ekonomike, shoqëria ka informuar se mund të mos jetë financiarisht në gjendje të parandalojë përkeqësimin e nivelit të shërbimeve që ofron, përfshi furnizimin me energji, përgjatë javëve në vazhdim”. Pra, CEZ paralajmëron një dimër të vështirë dhe se konsumatorët shqiptarë duhet të marrin masat e menjëhershme. Pavarësisht problemeve financiare, kompania ka mobilizuar të gjithë teknikët e vet, në mënyrë që çdo defekt i mundshëm të riparohet sa më shpejt të jetë e mundur.


Nga monitorimet e kryera nga ERE dhe METE, CEZ ka kryer vetëm 7 për qind të investimeve, ose në vlerë rreth 3.4 milionë euro, nga 50 milionë euro të planifikuara për këtë vit, kurse në 2011-n, plani është realizuar vetëm 45 për qind. Pra, ajo çfarë po ndodh aktualisht me kufizimet vjen si rrjedhojë e amortizimit të linjave, dobësimit të tyre dhe se ndërrimi në kohë reale është i vështirë, duke detyruar banorët të presin pa drita në zgjidhjen e problemit.


Sakaq, kufizimet kanë nisur prej dy muajsh në mbarë vendin, për shkaqe të ndryshme, duke nisur nga moti i keq, amortizimi i linjave, djegia e transformatorëve, apo dhe kufizime të shkaktuara nga vetë shoqëria në momentin kur nënstacionet “pushtohen” nga banorët e irrituar. Lagje të Tiranës nuk kanë energji elektrike me orë të zgjatura, kryesisht ato periferiket, kurse qytete të tjera raportojnë kufizime deri në 7 orë në ditë.


Pavarësisht se KESH është duke importuar në maksimum, kufizimet ndodhin për shkak të rrjetit dhe defekteve. Konsumi ditor ka arritur në rreth 27 milionë kilovat, rekord që pas privatizimit të OSSH-së nga shoqëria çeke “CEZ Group” në vitin 2009, për 102 milionë euro.


Bilanci


Linjat – Mungesa e dritave vjen për shkak të rrjetit të amortizuar, të vjetruar, i cili kërkon financim për t’u ndërruar, sikurse edhe transformatorët


Investimi – Shoqëria CEZ ka investuar deri më tani për 2012-n rreth 3.4 milionë euro, ose 7 për qind, në raport me planin, kurse në 2011-n afro 45 për qind


Financat – Kompania i ka bërë të ditur ERE-s, me anë të letrës, dërguar javën e kaluar se nuk është në gjendje financiare për të ofruar shërbimin e duhur


 


 


METE: Qeveria importon energji, por CEZ shkakton kufizime


Ministria e Ekonomisë (METE) bën përgjegjëse kompaninë e shpërndarjes CEZ për mungesën e energjisë elektrike te konsumatorët shqiptarë. Dy ditë më parë, zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, tha se qeveria shqiptare ka importuar energji duke plotësuar kështu të gjitha nevojat në vend, por është sistemi i shpërndarjes që ka shkaktuar ndërprerjet e furnizimit me energji. “Ditët e fundit, përsëri jemi ndeshur me raste jo të pakta të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë. Përgjegjëse për këtë situatë të shkaktuar në kushtet kur energjia nuk mungon aspak, është kompania CEZ Shpërndarje, e cila problematikën e rëndë të brendshme të saj e ka transmetuar te konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë”, deklaroi Bozdo. Ministria e Ekonomisë i kërkon kompanisë CEZ të marrë të gjitha masat për të riparuar defektet që shkaktojnë ndërprerjet e energjisë. “Furnizimi me energji elektrike i konsumatorëve është detyrë vetëm e CEZ-it. I kërkojmë të reagojë me urgjencë për të riparuar çdo defekt apo problem tjetër me furnizimin me energji; të marrë masa për plotësimin e bazës materiale të saj, sepse METE nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që mungesa e transformatorëve, kabllove rezervë, pjesëve të këmbimit të kabinave elektrike apo pajisjeve të tjera të domosdoshme, të ndikojë ne furnizimin normal me energji elektrike”, shtoi Bozdo.