Ky vit ka qenë i mbushur plot me çudira nga qielli, si me ngjarjet spektakolare, ashtu edhe me zbulimet e arritjet në eksplorimin hapësinor, në sistemin diellor dhe në kozmosin e pafund


Roboti “Curiosity” arrin në Mars


Pas një udhëtimi prej miliarda kilometrash në hapësirë, në gusht të këtij viti roboti i NASA-s u ul mbi planetin e kuq. Faza delikate e uljes, “shtatë minutat e famshme të terrorit”, i la pa fjalë teknikët dhe shkencëtarët, por në fund “Curiosity” ia doli mbanë. Që prej atij çasti laboratori i sofistikuar shkencor në bordin e robotit po eksploron dhe analizon mjedisin. Ndoshta nuk do të arrijë të na thotë nëse ka pasur ose jo jetë biologjike në Mars, por informacione që do të mbledhë gjatë misionit të tij do të jenë pikënisja për eksplorimin njerëzor të planetit, gjë që nga NASA është parashikuar zyrtarisht rreth vitit 2030.


Transiti i Afërditës


6 qershor, ora 05:30. Në agim, planeti i Afërditës hyri në mes të Tokës dhe Diellit tonë, duke errësuar një pjesë të sipërfaqes së tij. Mbi Diell u formua një njollë e zezë e vogël. Fenomeni u ndoq nga miliona persona në të gjithë botën. Një ngjarje e tillë, për shkak edhe të pjerrësive të ndryshme të orbitave të Tokës dhe Afërditës, ndodh çdo 105 vjet. Transiti tjetër do të ndodhë në vitin 2117.


Eklipset e Diellit


Këtë vit kanë ndodhur dy të tillë: një më 20 maj, kur Hëna duke u mbivendosur mbi Diellin mbuloi 90% të diskut duke vizatuar një rreth të ndriçuar në qiell që kishte pamje spektakolare. Ndërsa eklipsi tjetër i plotë ndodhi më 13 nëntor, ku për dy minuta Dielli u errësua plotësisht duke treguar në mes të ditës qiellin plot me yje, një nga fenomenet më tërheqëse dhe më të rralla të natyrës. Të dy eklipset kanë ndodhur në zonën e Paqësorit, kur te ne ishte natë, por falë teknologjisë u shijua drejtpërdrejt.


Hëna Blu


Ndodhi natën e 31 gushtit. Pavarësisht përkufizimit të mrekullueshëm dhe romantik, planeti ynë nuk u ngjyros vërtet me blu: fenomeni konsiston në një Hënë tjetër të plotë brenda muajit dhe kjo gjë ndodh çdo dy vjet e gjysmë (tjetrin do të kini mundësi ta shihni në vitin 2015). Në fakt, në vendet anglosaksone, shprehja “Blue Moon” (“Hënë blu”) tregon një ngjarje vërtet të rrallë, ashtu si dy hëna të plota në një muaj.


Stuhi diellore


Jo të gjitha ngjarjet qiellore janë të bukura. Të gjitha shpërthimet diellore që ndodhën në muajin mars të këtij viti, rrezikuan të nxirrnin jashtë përdorimit satelitët, GPS-të, pajisjet elektronike dhe ndërprerje totale të elektricitetit. Në fakt, kur u shfaq një fenomen i ngjashëm, fusha magnetike e Diellit u bë aq e fortë saqë filloi të ndërhynte me atë të Tokës, duke shkaktuar keqfunksionime të pajisjeve elektronike. Stuhitë diellore janë të lidhura me ciklin e njollave diellore. Ato tregojnë aktivitetin e tyre çdo 11 vjet.


Një Hënë tjetër në sistemin diellor


Është larg vetëm 25 km dhe rrotullohet njëqind mijë kilometra larg Plutonit, planeti më i vogël (diametri i tij është 2300 km) dhe më i largëti i sistemit tonë diellor. I zbuluar këtë vit nga teleskopi hapësinor “Hubble” dhe i quajtur provizorisht “S/2012 (134340) 1”, ose thjesht “P5”, është sateliti i pestë i gjetur rreth Plutonit. Hëna më e madhe e tij, “Karon”, që është pothuajse sa një planet, u vrojtua për herë të parë në vitin 1978. “Hidra” dhe “Errësira”, të mëdha sa një mijë fusha futbolli, janë zbuluar po ashtu nga teleskopi “Hubble” në 2006-n. “Hubble” që vazhdonte ende kërkimet për hënën e katërt të quajtur P4, e zbuloi në vitin 2011.


Gjendet binjaku i Tokës


Në kërkimin e planetëve jashtëtokësorë 2012 ka qenë një ogur i mirë: gjatë këtij viti u gjet edhe binjaku i Tokës përreth një ylli të ngjashëm me Diellin, që ishte fshehur diku në një cep. Ai gjendet vetëm 4 vjet dritë larg (një vogëlsirë në terma astronomikë) dhe rrotullohet përreth yllit më afër nesh “Proxima centauri” (Alfa Centauri B). Astronomëve iu deshën plot katër vjet për ta zbuluar. Edhe pse në të momentalisht nuk mund të ketë jetë, zbulimi i tij tregon përsosjen e teknikave për lokalizimin e planetëve të tjera të ngjashëm me Tokën në sistemin e yjeve pranë Diellit.


Rekordi i teleskopit “Hubble”


Teleskopi “Hubble” ka kapur pamjen më të bukur të kozmosit që është realizuar ndonjëherë. Pavarësisht 20 viteve punë, teleskopi hapësinor ka arritur një tjetër rekord këtë vit: ka fotografuar 5000 galaksitë dhe objektet më të largëta të universit, që ndodhen 13 miliardë vite dritë larg. Gjithçka mund të shihet qartë dhe është sa një rreth i një monedhe hekuri. Duke qenë se mosha e universit është më pak se 14 miliardë vjet, do të thotë se këto galaktika janë ndër më të vjetrat të zbuluara deri tani.