Zëdhënësi: Raporti të merret si kambanë alarmi


Fatjona Mejdini


Global Financial IntegrityOrganizata “Global Financial Integrity”, e cila në një raport të publikuar pak ditë më parë njoftonte që zyrtarët e lartë shqiptarë kanë nxjerrë jashtë vendit më shumë se 1.3 miliardë dollarë, i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të kërkojë informacionet e detajuara mbi njerëzit që kanë bërë këto transferta. Kjo u bë e ditur në një intervistë për agjencinë “Balkan Insight”, nga zëdhënësi i kësaj organizate, Clark Gasciogne. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk mund të rrijë në heshtje, por duhet të kërkojë transparencë për të gjitha këto para të cilat në mënyrë ilegale kanë dalë jashtë Shqipërisë, duke dëmtuar ekonominë e vendit. Sipas tij, qeveria duhet të kontaktojë një herë me bankat vendase për të kuptuar se cilat janë llogaritë që nxjerrin shumat më të mëdha jashtë vendit dhe më pas të fillojë me procedurat e tjera hetimore për t’i identifikuar në mënyrë personale ata që fshihen pas këtyre llogarive. “Qeveria duhet të kërkojë që të gjitha bankat në Shqipëri të dinë përfituesit realë, njerëzorë të çdo llogarie të hapur në institucionet e tyre financiare. Shpesh bankat nuk e dinë se kush e ka në pronësi ose kush i kontrollon llogaritë në institucionin e tyre – ata mund të kenë emrin e ndonjë kompanie anonime të transaksioneve dhe ata nuk e dinë se cili person e kontrollon këtë kompani. Kjo do të thotë se bankat nuk mund të monitorojnë llogaritë për pastrimin e parave. Ky është një hap i thjeshtë në fakt, që ndihmon në zgjidhjen e problemit”, sqaron zëdhënësi i organizatës ndërkombëtare me qendër në Uashington. Ai i quajti të dhënat e këtij raporti një kambanë alarmi për qeverinë shqiptare. Ky qëndrim i “Global Financial Integrity” vjen në të njëjtën linjë me atë të opozitës shqiptare. Pas publikimit të raportit, i cili jepte shifra alarmante sa u përket transfertave të paligjshme të bëra nga Shqipëria, deputetë të opozitës në Parlament i kanë kërkuar ministrit të Financave, Ritvan Bode, të marrë masa energjike dhe investigative për identifikimin e personave të cilët i kanë dërguar jashtë vendit të ardhurat e tyre të jashtëligjshme. Deputetët e opozitës sugjeruan që Shqipëria të kërkonte informacione zyrtare nga organizmat financiarë botërorë për këto shuma të mëdha që dilnin të pakontrolluara nga vendi. Sipas opozitës, kjo është një praktikë normale, e cila ndiqet nga të gjitha vendet europiane ose jo. Por këto kërkesa të socialistëve morën kundërshtimin e ministrit të Financave, Ritvan Bodes. Sipas tij, për zbulimin e këtyre rasteve do të bashkëpunohej me institucionet shqiptare dhe nuk do të përfshiheshin institucionet e huaja. Bode ishte i vetmi zyrtar shqiptar, i cili, i detyruar dhe nga ngulmi i opozitës, komentoi këtë raport. Organizata “Global Financial Integrity” del në konkluzionin se nga shifra 1.3 miliardë dollarë, 60 për qind e parave vijnë nga evazioni fiskal, 35 për qind nga aktivitetet kriminale dhe 5 për qind nga korrupsioni. GFI përdor të dhëna nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilave vetëm në vitin 2008, 405 milionë dollarë u transferuan në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria, ndërsa çdo vit transferohen në strehët fiskale 131 milionë dollarë.


 


“Qeveria duhet të kërkojë që të gjithë bankat në Shqipëri të dinë përfituesit realë, njerëzorë të çdo llogarie të hapur në institucionet e tyre financiare”