Raporti
Përpjekjet e Greqisë për të zvogëluar evazionin e hapur fiskal nga të pasurit, si mjekët dhe avokatët, nuk janë të mjaftueshme dhe duhet të forcohen, bëhet e ditur nga një raport i Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Athina ka mbledhur vetëm gjysmat e borxheve fiskale, si dhe ka kryer më pak se gjysmën e kontrolleve që duhej të kryheshin kundër evazorëve fiskalë, për të cilët ky vend është i famshëm.
“Misioni shpreh shqetësime se autoritetet po bien në përgjumje dhe se lufta kundër evazionit fiskal kundër të pasurve dhe profesionistëve të lirë po dobësohet”, thuhet në raport.
Deri në fund të shtatorit, autoritetet kanë kryer 440 kontrolle mbi evazorët e dyshuar të pasur, ndërkohë që kishin për detyrë të kryenin 1300 kontrolle. Rreth 1.1 miliardë euro taksa të prapambetura janë mbledhur, shumë më pak se sa objektivi prej 2 miliardësh. Kreditorët e Greqisë i kërkojnë që të vërë nën objektiv të kontrolleve veçanërisht mjekët dhe avokatët.
Grekët kanë akumuluar përgjatë viteve 53 miliardë dollarë borxhe ndaj taksave, një e katërta e Prodhimit të Brendshëm Bruto të këtij vendi. Por vetëm 15-20 për qind e kësaj shume konsiderohet si e mundshme për t’u mbledhur.