Dhëndri i Berishës ka paraqitur padi ndaj deputetit socialist
Bashkëshorti i vajzës së Kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, ka depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës një padi ndaj deputetit socialist, Taulant Balla. Në këtë padi kërkohet që socialisti Taulant Balla t’i shpërblejë paditësit Jamarbër Malltezi dëmin jopasuror në shumën 2.000.000 (dy milionë) lekë për shkaktim dëmi. Gjykata e Tiranës ka hedhur dhe shortin, sipas të cilit gjyqtar i këtij gjyqi do të jetë Agim Bendo. Padia ndaj deputetit socialist ishte paralajmëruar nga ana e fëmijëve të Kryeministrit Berisha, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha nisur nga akuzat e fundit që deputeti socialist ka artikuluar për pasurinë e tyre. Nisur me këtë paralajmërim, deputeti Taulant Balla theksoi pak ditë më parë se ai nuk kishte ndërmend të tërhiqej ndaj kërcënimeve me padi të familjes Berisha, pasi opozita kishte dyshime të forta se të ardhurat marramendëse që ata deklaronin ishin fitime të ardhura nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. Nisur nga qëndrimi se akuzat do të vijonin, Partia Socialiste i kërkoi dje Kryeministrit Berisha të jepte llogari për 1.3 miliardë dollarët që ishin arratisur nga vendi dhe po kështu për pasuritë marramendëse të fëmijëve të tij. Sipas deputetit Taulant Balla, Berisha e ka shumë të vështirë të shpjegojë se ku janë gjendur këto të ardhura. “Përsëri Saliu nuk dha shpjegime, por vetëm vazhdoi avazin e tij të baltës në adresë të kryetarit Edi Rama. Në fakt s’ka edhe shumë faj, sepse s’ka se si t’i justifikojë fëmijët e tij që në deklarimet e tyre kanë lënë shumë boshllëqe. Tani ka dalë edhe ky 1.3 miliardësh i dollarëve të arratisur ilegalisht nga Shqipëria gjatë qeverisjes së tij. 1.3 miliard dollarë që ia kanë vështirësuar shumë justifikimet Saliut!”, deklaroi Balla. Sipas tij, Berisha duhet të lejë mënjanë sjelljen e kokës së Ali Pashës dhe të shikojë të kthejë në Shqipëri 1.3 miliardë dollarët e ikur.
Zëdhënësja
PD: Trafikantë droge angazhohen në sulmin ndaj mazhorancës
Partia Demokratike i konsideroi deklaratat deputetit Balla si vijim të shpifjeve të ulëta ndaj familjarëve të Kryeministrit Berisha. “Rama, në betejën qesharake të maskimit të vendimit të tij antikombëtar dhe antishqiptar të bllokimit të statusit të vendit kandidat për llogari të atyre që nuk duan kurrë integrimin e Shqipërisë në Europë, ka angazhuar me shtrëngim zëdhënës të akuzuar për trafiqe droge, prostitucioni dhe larje parash të pista, të cilët u fshihen si minj organeve të drejtësisë që i kanë nën gjykim për shpifje dhe vepra të tjera penale”, theksoi dje zëdhënsia e PD-së, Silvi Bardhi. Sipas saj, PD-ja së shpejti do t’i bëjë publike Ramës aferat e fshehta të tij me ndërtuesit në Tiranë dhe gjobat 20 përqindshe që vendoste kundër tyre.