Besimtarët e krishterë në gjithë botën festojnë sot Krishtlindja. Dita e lindjes së Jezu Krishtit, kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. Në vendin tonë, kremtimet kanë nisur që prej mesnatës së djeshme, kur mijëra besimtarë katolikë janë drejtuar në kishë për të kryer ritet festive, ndezjen e qirinjve dhe faljen.


Ceremonia kryesore është zhvilluar në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku kanë qenë të pranishëm krahas qytetarëve të shumtë edhe personalitete të lartë të politikës, kulturës dhe artit. Imzot Rrok Mirdita drejtoi meshën duke u uruar të pranishmëve e besimtarëve shumë dashuri dhe paqe. “Thjeshtësia, varfëria e Krishtlindjeve na shtynë që ne të shkurtojmë largësinë që ndan të varfërit me të pasurit, duke i mbështetur me projekte dhe duke ushtruar dashurinë ndaj njeriut sipas shembullit të Zotit. Drita që udhëheq mbretërit, nga e cila buron tradita e ndriçimit të pemës, është drita që ka nevojë çdo njeri për të ecur drejt takimit me të vërtetën. Thjeshtësia e drita e Zotit qofshin frymëzim dhe burim gëzimi për çdo njeri, në këto Krishtlindje e përgjithmonë”, uroi Imzot Rrok Mirëdita.


Ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të ditës së sotme, besimtarët ortodoksë kanë marrë pjesë në meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi Anastas Janullatus. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas u kërkoi besimtareve ortodokse të meditojne për durimin e Krishtit dhe të tejkalojnë përmes tij, “retë e zeza” që shkakton kriza ekonomike, ankthi dhe pasiguria e epokës sonë. “Të metidojmë me kujdes për durimin e Krishtit, durimin e paepur, drejtësia fitimtare do të ndrisë përsëri brenda reve të zeza që shkakton kriza ekonomike, ankthi dhe pasuria e epokës sonë. Jezu Krishti do të ngrohë zemrat tona, me durim, zemërgjerësi do të ecim gjatë Vitit të Ri, për të kapërcyer problemet e shumta dhe kundërshtitë e paprirtura. Krishtlindje të bekuara, gëzuar Krishtlindjet gjithë shqiptarëve”, uroi Kryepeshkoi Janullatos.


Nishani: Të tejkalojmë pengesat artificiale


Presidenti i Republikës,  Bujar Nishani, u ka uruar sot të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë festën e Krishtlindjes. “Tradita e vyer historike dhe kulturore e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, pasuri shumëshekullore e brezave të njëpasnjëshëm në këtë vend, na mëson të mbështetemi tek mirëkuptimi, besimi, bashkëpunimi dhe ndjenja e solidaritetit me njëri-tjetrin si mënyra e vetme për të ecur të sigurt drejt prosperitetit, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi parime të lirisë e të së drejtës dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, thuhet në mesazhin e tij.


Kremtimi i Krishtlindjes sipas Presidentit është një tjetër mundësi për të forcuar lidhjet shumëshekullore mes shqiptarëve, në mënyrë që të përballojmë me sukses sfidat që kemi përpara si shoqëri dhe si komb.


“Këtë Krishtlindje e festojmë në një moment të veçantë për kombin tonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj le të tejkalojmë çdo pengesë artificiale dhe të bashkojmë të gjitha energjitë për të ecur bashkarisht në rrugën e përparimit dhe begatisë njerëzore. Zoti qoftë me ne shqiptarët në këtë rrugë! Gëzuar Krishtlindjen! Lumturia familjare, shëndeti i plotë dhe begatia mbizotërofshin në shtëpitë tuaja!”,- uron Nishani.


Rama:Ne besojmë në rilindje, përtej çdo  përkatësie politike


Kryesocialisti Edi Rama ka uruar festën e Krishtlindjes nga qyteti i Korçës, ku së bashku me bashkëshorten vizituan selinë e Mitropolisë. Rama ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë në këtë ditë feste dhe ka theksuar se për qytetarët është e domosdoshme rilindja përtej çdo përkatësie politike.

“Uroj të gjithë shqiptarët t’u realizohen të gjitha dëshirat. Ne besojmë në rilindje, është një rilindje e domosdoshme përtej çdo përkatësie politike”, tha ai, ndërsa shtoi se vitet që vijnë sjellin mundësi punësimi dhe solidariteti.


Berisha: Krishtlindja, ditë e bekuar


Edhe kryeministri Sali Berisha u është bashkuar urimeve për besimtarët për festën e shenjtë të Krishtlindjeve. Në fjalën e tij, Berisha e ka vlerësuar ditën e lindjes së Krishtit si një ditë të shenjtë e të bekuar. “Krishti ishte ai që me moralin e tij besoi në moralin e qytetërimit perëndimor. Dita e lindjes së tij ishte një mrekulli sepse lindi burri që ndryshoi botën”, deklaroi Berisha. Duke folur pas takimit me kryepeshkopin Anastas Janullatos, kreu i qeverisë ka vlerësuar maksimalisht rolin e kishës në shoqërinë shqiptare. “Kisha sot qëndron në mënyrë madhështore dhe tregon se lufta me vlerat është e humbur. Gjithashtu, këto Krishtlindje i festuam me 100-vjetorin e pavarësisë”, ka theksuar Berisha.


Topi uron besimtarët nga Korça


Kryetari i FRD-së, Bamir Topi uroi shqiptarët për Krishtlindjet nga selia e shenjtë e Mitropolisë së Korçës. Në fjalën e tij, Topi vlerësoi se Korça është një qytet që ofron traditën e harmonisë mes komuniteteve.  “Korça është një mjedis interesant për të festuar lindjen e Krishtit. Urimi im i sinqertë për të gjithë qytetarët”, u shpreh Topi.


Meta: Festa, më shumë shpresë e besim


Kryetari i LSI, Ilir Meta ka uruar besimtarët për Krishtlindjen nga Katedralja Ortodokse në Tiranë. Në një prononcim për mediat, Meta shprehu urimin që kjo festë të sjellë më shumë shpresë e besim në shoqërinë tonë.  “Gjithashtu, për Krishtlindje urimi shkon edhe për ata që gjenden në vështirësi”, ka thënë Meta.


25 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)