PD, frikë nga AK dhe FRD “rikthen” ndarjen e vjetër të mandateve


PD – Frika e rritjes së peshës politike të subjekteve të reja politike, duket se është arsyeja që PD-ja është tërhequr nga ideja e drejtimit në Kolegjin Zgjedhor


PS – “Ky është një akt që kërkon pesë vota, dhe kur flitet për pesë vota, flitet për konsensus. Do të thotë që të gjithë anëtarët duhet të jenë dakord për aktin që ata provojnë”


BLEDAR HOTI


Partia Demokratike preferon ndarjen e vjetër të 140 mandateve të deputetëve sesa t’i japë mandate shtesë Qarkut të Durrësit dhe Tiranës. Fuqizimi i partive të reja, si Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuqezi, mundësia më e madhe marrjes së mandateve në qendrat e mëdha urbane si në Tiranë dhe Durrës është arsyeja kryesore që PD-ja ka bllokuar opsionin e saj për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor për të miratuar ndarjen e hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në variantin e KQZ-së, Qarkut të Tiranës i shtohej një deputet, duke bërë që në zgjedhjet e 2013-s të përfaqësohej me 33 deputetë, ndërsa Qarku i Durrësit me 14 mandate. Ndërsa nga një mandat u hiqej qarqeve të Korçës dhe Beratit. Sipas formulës së Kodit Zgjedhor, proporcionalit rajonal, mundësia e marrjes së një mandati nga partitë e vogla ekziston në qendrat e mëdha urbane si Tirana dhe Durrësi. Vetëm në këto dy qarqe që do të kishin 47 mandate (me ndarjen e re) partitë e vogla, jo vetëm LSI, PR, por edhe ato subjekte të krijuara rishtazi si FRD dhe AK do të kishin më shumë mundësi në marrjen e ndonjë mandati. Frika e rritjes së peshës politike të subjekteve të reja politike, duket se është arsyeja që PD-ja është tërhequr nga ideja e drejtimit në Kolegjin Zgjedhor. Duke mbajtur ndarjen e vitit 2009, PD njëherësh fiton në tavolinë dhe Qarkun e Kukësit, pasi në këtë pjesë parashikohet të ketë 4 mandate deputeti. Pikërisht ky qark ishte molla e sherrit mes socialistëve dhe demokratëve. Opozita pretendonte se Ministria e Brendshme kishte manipuluar shifrat e popullsisë, duke krijuar rritje fiktive në mënyrë që Qarku i Kukësit të marrë 4 mandate deputetësh. Në një kohë që sipas opozitës, Kukësi nga shifrat reale të popullsisë duhet të merrte 3 mandate ndaj PS-ja kontestonte kështu heqjen e një mandati të Beratit, duke e lënë këtë qark me 7 mandate. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të votonte me 5 vota pro ndarjen e re të 140 mandateve, pikërisht nga këto përplasje.


Reagimi i PS-së


Partia Socialiste ndërkohë e sheh si opsion zgjidhjeje rikthimin për diskutim të kësaj çështjeje në tryezën e KQZ-së, sigurisht duke bërë rregullimet e nevojshme. “Është një çështje që fare mirë nuk mund të ketë nevojën e një vendimi të kolegjit. Në vështrimin ligjor, akti i prodhuar nga KQZ është një akt administrativ, absolutisht i pavlefshëm që do të thotë që organi që ka marrë këtë akt, në çdo kohë mund ta rimarrë këtë çështje në shqyrtim. Vetëm transparenca mund ta bëjë të mundur tejkalimin e këtij ngërçi”, tha përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj. Edhe anëtarët e majtë në këtë institucion ndajnë të njëjtin mendim, duke mos pranuar shqyrtimin e kësaj çështjeje në Kolegj. “Ky është një akt që kërkon pesë vota, dhe kur flitet për pesë vota, flitet për konsensus. Do të thotë që të gjithë anëtarët duhet të jenë dakord për aktin që ata provojnë. Sjellja në mënyrë bipartizane, pra, të tifozerisë së ruajtjes së mendimit, apo gjykimit të forcës politike që ka propozuar, dhe këtu i referohem anëtarëve të propozuar nga PD, nuk është në shërbim të procesit”, thekson Gjonçaj. Por ideja e aplikimit të skemës së 2009-s për 140 mandatet duket se preferohet nga anëtarët e djathtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e popullsisë në Qarkun e Kukësit. Nisma që u mbështet dhe me votat e LSI-së në Parlament, u rrëzua nga demokratët në seancën e së enjtes së kaluar.


 


Etapat


5 vota – KQZ-ja duhet të kalonte aktin për ndarjen e 140 mandateve me 5 vota pro. Këto vota nuk u arritën gjatë shqyrtimit të aktit


30 ditë – PD kishte 30 ditë afat për të paraqitur ankesën ndaj mosmarrjes së vendimit të KQZ-së për ndarjen e 140 mandateve të deputetëve


3 anëtarët – 3 anëtarët e opozitës iu drejtuan me anë të një letre Ministrisë së Brendshme për informacion për Kukësin, por që u refuzua nga Noka


LSI – Edhe pse anëtari i LSI-në në KQZ votoi pro heqjes së mandatit të Beratit, kreu i këtij subjekti Meta, bëri thirrje për reflektim nga PD


ZAZ-të – Një tjetër çështje e mbetur pezull është edhe ajo e ndarjes së ZAZ-ve. Akti i KQZ-së pas shqyrtimit nuk mori votat pro të anëtarëve


 


Tabela


Ndarja e 140 mandateve


2009       2013


Berat           8          7

Dibër           6          6

Durrës          13         14

Elbasan         14         14

Fier            16         16

Gjirokastër     5          5

Korçë          12         11

Kukës           4         4

Lezhë           7          7

Shkodër        11         11

Tiranë          32         33

Vlorë           12         12


 


Anëtarët e Kolegjit


Në fillim të muajit, anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor Andi Civici, Edlira Petri, Fuat Vjerdha, Gjinovefa Gaba, Ilir Toska, Kriton Spahiu, Petrit Çeno dhe Valbon Çekrezi me dorën mbi Kushtetutë, u betuan para kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani