Plani përfshin mbështetjen e talebanëve si një forcë politike
Pas dhjetë vjetësh luftime, Pakistani duket i sinqertë në angazhimin e vet për një proces paqeje në Afganistan dhe synon ta arrijë këtë duke e transformuar lëvizjen e talebanëve në një forcë politike, bën të ditur një zyrtar i lartë i qeverisë afgane i cituar nga “Reuters”. Pakistani shihet si çelësi për zgjidhjen e luftës civile të Afganistanit, që ka vijuar prej shumë dekadash. Nga shumë analistë, Afganistani është parë si zonë e nxehtë e luftës së ftohtë Pakistan-Indi dhe kjo ka qenë edhe arsyeja se pse konflikti ka vijuar për kaq gjatë.
“Ata na kanë thënë se kanë të njëjtin mendim me ne për transformimin e talebanëve nga një entitet luftarak në një forcë politike dhe si çdo forcë tjetër politike në vend të përpiqet ta marrë pushtetin në mënyrë paqësore”, tha zyrtari. Komentet e tij shënojnë një optimizëm të paprecedentë nga Afganistani mbi synimet reale të Pakistanit, shtet që është akuzuar gjithmonë se ka mbështetur rebelët, pasi e sheh qeverinë e Kabulit si një aleate të mundshme të Indisë. Por tani Afganistani dhe Pakistani duket se janë bindur se arritja e paqes është e rëndësishme tashmë që trupat e NATO-s po largohen. Frika e Pakistanit është se talebanët mund të bëhen një forcë kërcënuese edhe për atë vetë pas largimit të trupave perëndimore, ndërkohë që lufton militantët brenda vetes së vet.
Bisedimet mes qeverisë së Kabulit dhe talebanëve thuhet se po kryhen ballë për ballë në Francë. Kjo është hera e parë që diskutohet ballë për ballë. Kreu i fuqishëm i ushtrisë në Pakistan thuhet se e ka bërë prioritet kryesor pajtimin e fraksioneve ndërluftuese në Afganistan për herë të parë. Gjenerali Ashfaq Kayani, që thuhet se është njeriu më i fuqishëm në Pakistan, po mbështet bisedimet për shkak të frikës se largimi i NATO-s do të fuqizojë edhe kryengritësit brenda vendit të tij.