Buxheti
Kredi për të rinjtë nën 35 vjeç, ngrohje në shkolla, rehabilitim, asfaltim, ndërtim
Lorina Mixha
Këshilli bashkiak ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës buxhetin për vitin 2013 që mbështetet në tri shtyllat kryesore, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe cilësia e jetës. Për herë të parë, Bashkia e Tiranës ka vendosur afate të qarta kur nis dhe kur mbaron një investim.
Sipas kreut të bashkisë, Lulzim Basha, hartimi i këtij buxheti i cili merr në konsideratë prioritetet e 11 njësive bashkiake pa dallim përkatësie politike të drejtuesve të tyre, por duke u nisur nga interesi qytetar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri të ditur se rreth 8% e investimeve publike kanë ndryshuar pas konsultimeve me qytetarët.
“Ky nuk është një buxhet mrekullirash dhe s’mund të ndodhin mrekulli në këtë qytet as për një vit e as për dy vjet, por është një buxhet realisht bazuar në nevojat e qytetarëve, bazuar te dëgjimi i zërit të tyre duke shkuar lagje për lagje, bazuar në kapacitetet tona të rritura për miradministrim fiskal siç e thatë edhe ju nga 900 milionë në 1.5 miliardë pa rritur taksat, duke i ulur ato, por duke luftuar informalitetin”, tha Basha. Sipas tij, ky buxhet prej 80 milionë dollarësh për herë të parë përfshin një fond të veçantë për të nxitur hapjen e bizneseve të reja nga të rinj nën moshën 35-vjeçare. Me këtë synohet rritja e mirëqenies dhe punësimi i të rinjve të kryeqytetit.
“Nuk do të hamë me lugë floriri, por masat që po marrim duke përfshirë edhe fondin e garancive për të rinjtë e kryeqytetit patjetër që do të vazhdojmë atë kurs zhvillimi, që ne e nisëm me heqjen e tarifave dhe vendosjen e masave administrative të thjeshtuara dhe uljen e disa taksave në qytetin e Tiranës në shtator”, sqaroi kreu i bashkisë.
Në vitin 2013, do të zgjidhet problemi i ngrohjes për 92% të shkollave të Tiranës, dhe në masën 100% për çerdhet dhe kopshtet, sistem i cili do t’u kushtojë qytetarëve të Tiranës 1/3 e asaj çka i ka kushtuar deri tani, pasi sistemi i ngrohjes nuk do të jetë me karburant, por me peleta. Nga këto ndërhyrje, do të përfitojnë 14 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare; 2,200 nxёnёs të shkollave tё mesme; 1,250 fёmijё tё kopshteve. Nga rikonstruksioni i çerdheve ekzistuese përfitojnë rreth 230 fëmijë dhe shtohet kapaciteti me 900 fëmijë më shumë në qytetin e Tiranës.
Këshilli Bashkia vendosi sot që të ulë me 30% taksat për luleshitësit dhe librashitësit. Ky vendim ka marrë dhe miratimin e këshilltarëve të majtë në këshillin bashkiak.
Sa i takon rritjes së stafit dhe punësimeve të reja në bashki, sipas ekspertizës së pushtetit vendor, rritja e efikasitetit dhe efektivitetit të punës së Bashkisë se Tiranës ka diktuar nevojën e mbështetjes me burime njerëzore në strukturat e menaxhimit të shërbimeve publike të Bashkisë së Tiranës, të cilat diktohen nga rritja e investimeve në qytete.
Shtimi i burimeve njerëzore parashikohet në strukturat e Policisë Bashkiake, Inspektoratin Ndërtimor, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorëve, Drejtorinë e Përgjithshme Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit, Qendrën Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Drejtorinë e Përgjithshme Nr. 2 të Punëtorëve të Qytetit, Qendrat Sociale ekzistuese dhe shtimin e qendrës së re në Shkozë, drejtorin e përgjithshëm të menaxhimit të shërbimeve.
Nevoja – Sipas bashkisë, kalimi i disa kompetencave te njësitë bashkiake ka diktuar nevojën për mbështetje me burime njerëzore, shtim stafi
Qëllimi – Sipas parashikimit, punësimet e reja në bashki do të çojnë në një kontroll më të mirë të territorit dhe shërbim më cilësor ndaj qytetarëve
Saliani – “Nuk mund të vendosësh taksë për biznese. Kjo është mënyrë për të mbushur arkën bosh të bashkisë tha këshilltari i majtë, Eridian Saliani
Dalipi – Kreu i këshilltarëve të majtë kërkoi transparencë për taksën e antenave. Duam më shumë transparencë ndaj ju votojmë”, tha Aldrin Dalipi.
Rrokaj – Përfaqësuesi i LSI-së, Shezai Rrokaj, tha se para marrjes së një vendimi të tillë për taksat e antenave duhet një studim i detajuar
Librat dhe lulet
Librashitësit dhe luleshitësit do të paguajnë 30 për qind të taksës së biznesit për 2013. Vendimi u mor dje në këshillin bashkiak
Bashkia e Tiranës ka vendosur të çlirojë nga tarifa vendore subjektet që tregtojnë libra dhe lule natyrale. Librashitësit dhe luleshitësit, do të paguajnë vetëm 30 për qind të taksës së biznesit të vogël. Ndërkohë që pas tyre, bashkia ka në diskutim të çlirojë nga taksa edhe artizanët, të cilët do të vendosen për të tregtuar produktet e tyre në tregje të veçanta me taksë 0.
Vendimi për libraritë dhe dyqanet e luleve u miratua dje në Parlamentin vendor. “Referuar aktivitetit të kufizuar në artikuj dhe në xhiro, për subjektet librashitës dhe luleshitës, që tregtojnë vetëm libra dhe lule zbukurimi, aktualisht aktivitet i kufizuar në numër dhe shtrirje territoriale, propozohen lehtësira fiskale vetëm për subjektet biznes i vogël duke ulur detyrimin e taksës së biznesit të vogël në masën 30%”, thuhet në vendim.
Ulja e taksës do të ndikojë në rritjen në numër të këtyre subjekte, në zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese dhe në uljen e çmimeve të produkteve që ato tregtojnë për të plotësuar sa më mirë kërkesat e qytetarëve.
Telefonia
Çdo vit, për çdo antenë të vendosur në tarracat e pallateve të kryeqytetit, kompanitë e telefonisë së lëvizshme do të paguajnë taksë
Në listën e derdhësve të parave në buxhetin e bashkisë do të jenë edhe kompanitë e telefonisë së lëvizshme. Deri tani operatorët e telefonisë u kanë paguar para vetëm banorëve të kateve të pesta, të cilët mbajnë sipër tarracës së tyre antenat e kompanive në shërbim të tyre.
Bashkia e Tiranës u ka propozuar dje anëtarëve të këshillit bashkiak të miratojë një ndryshim në ligjin për “Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.
“Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme” aplikohet për të gjithë subjektet që vendosin antena të telefonisë së lëvizshme (mobile) mbi tarracat e pallateve apo godinave të ndryshme brenda territorit të qytetit të Tiranës. Niveli i kësaj takse është 2.000.000 lekë/antenë/vit”, thuhet në vendim. Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme”, llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit.
Varrezat
Për vitin e ardhshëm janë parashikuar 30 milionë lekë për investime në varreza. Zgjerimi i parcelave dhe varrezat murale
Brenda tremujorit të vitit të ardhshëm ndërmarrja e shërbim funeraleve, nën varësinë e Bashkisë së Tiranës do të ketë realizuar për herë të parë në vend varrezat e para murale.
Investimi për ngritjen e varrezave murale është përfolur për vite me radhë, ndërkohë që projekti konkret për realizimin e kësaj nisme është bërë gati e madje edhe buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2013 ka parashikuar zëra të veçantë për investimet në sektorin e shërbimeve funerale, si dhe në dëmshpërblimin e pronarëve, të cilët do të lëshojnë banesat apo bizneset për t’u lënë vend varrezave.
“Janë parashikuar kompensimet e pronarëve për zonën e Sharrës për dy hektarë tokë në këtë zonë. Ndërkohë që pritet edhe zbatimi i projekteve të reja për vitin 2013”, deklaruan specialistët e bashkisë. Sipas buxhetit të vitit të ardhshëm, janë 30 milionë lekë të reja që do t’i shkojnë për administrim drejtorisë së shërbimeve funerale në bashkinë e kryeqytetit.
Bizneset
Plot 30 biznese që ushtronin aktivitetin pranë ish-kombinatit ushqimor, për shkak të rënies së zjarrit, do të përjashtohen nga taksat
Në mëngjesin e datës 22.11.2011, deri në orën 12:00, u krye ekspertiza nga ekspertë të Policisë së Rendit, nga e cila rezultoi se ishin dëmtuar 30 biznese që ushtronin aktivitetin në 30 kontejnerë të djegur.
Bashkia e Tiranës, duke e konsideruar biznesin në tërësi dhe biznesin e vogël në veçanti, si më të madhin në numër, kontribuesin kryesor të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore dhe një partner bashkëpunues i shumë nismave e projekteve të qytetit të Tiranës, me qëllim lehtësimin e barrës fiskale dhe krijimin e mundësive për rigjenerimin e humbjeve të krijuara nga fatkeqësia që dëmtoi disa nga bizneset e tregut ushqimor me shumicë pranë ish-kombinatit ushqimor, ka menduar përjashtimin nga pagesa e Taksës Vendore, për një vit.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshëm të Menaxhimit të Shërbimeve, kanë verifikuar 30 subjekte nëpërmjet terrenit dhe dokumentacionit përkatës