Mijëra pelegrinë nga e gjithë bota festuan Krishtlindjet në Betlehem, vendin ku lindi Jezu Krishti.
Festimet kulmuan me meshën e mesnatës në Kishën 1700-vjeçare të Lindjes, ndërtuar në vendin ku besohet se lindi Jezusi. Patriarku i Kishës Romane Katolike drejtoi një procesion simbolik nga qyteti i vjetër i Jeruzalemit në qytetin e Bregut Perëndimor, duke kaluar përmes barrierave ndarëse dhe pikave të kontrollit të ndërtuara nga izraelitët.”U bëj apel politikanëve dhe njerëzve me vullnet të mirë, të punojnë për paqen dhe pajtimin”,-tha ai.
Në Vatikan, Papa Benedikti XVI mbajti “Urbi et Orbi”, meshën tradicionale në bazilikën e Shën Pjetrit. “Le të lutemi të ndalojë dhuna dhe gjakderdhja në vendet konfliktuale. Të arrihet një zgjidhje përmes drejtësisë, respektit dhe dinjitetit. Le të lutemi gjithashtu për vendet e rajonit Libanin, Sirinë, Irakun dhe fqinjët e tyre, paqja të mbizotërojë atje, e që të krishterët në ato toka, ku ka lindur besimi ynë, të vazhdojnë të jetojnë aty. Lutem që të krishterët dhe myslimanët të ndërtojnë vendet e tyre krah për krah në paqen e Zotit”,-tha ai. Ati i Shenjtë apeloi të krishterët të gjejnë kohë për Zotin në jetët e tyre me ritëm të shpejtë. Papa ka dhënë sot mesazhin e urimeve në 65 gjuhë të Botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe: “Për shumë vjet Krishtlindjen!”.
25 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)