Opozita organizon protesta, ndërhyn policia dhe forcat speciale


Sinisa Jakov Marusic, BIRN


Partitë në pushtet në Maqedoni miratuan dje buxhetin e vitit 2013 disa minuta pasi deputetët e opozitës dhe gazetarët u shkelmuan nga salla e Parlamentit. Jashtë Parlamentit, gurë, vezë, mollë e domate fluturuan mes dy grupeve prej disa mijëra njerëzish që po organizonin dy protesta të ndryshme, njëra në mbështetje të qeverisë dhe tjetra në mbështetje të opozitës. Policia krijoi një kordon mes dy grupeve në sheshin para Parlamentit.


Një i moshuar 70-vjeçar dhe një grua 30-vjeçare u plagosën nga goditjet me gurë dhe u dërguan në spital. Deputetët e opozitës dhe mbështetësit e tyre po përpiqeshin të ndalonin qeverinë të miratonte buxhetin dhe thonë se miratimi po bëhet në një mënyrë “të paligjshme”. Në anën tjetër të lulishtes së vogël para Parlamentit, mbështetësit e qeverisë, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, kërkonin miratimin e shpejtë të buxhetit.


Policia krijoi një zonë ndërmjetëse mes dy grupeve, por grupimi i opozitës, i udhëhequr nga Branko Crvenkovski, ia doli të thyejë kordonin dhe vrapoi drejt manifestimit kundërshtar që po zhvillohej pranë të ashtuquajturit “Harku i Triumfit”. Policia, e pajisur me mjete kundër protestave të dhunshme, arriti të shtyjë mbrapa opozitën dhe të ndalojë përplasjen e drejtpërdrejtë mes dy grupeve.


Ndërkohë, në Parlament u raportua se deputetët e opozitës nga Partia Socialdemokrate fillimisht u përpoqën të bllokojnë derën kryesore të sallës dhe të ndalojnë deputetët e mazhorancës nga hyrja në sallë dhe votimi. Shërbimet e sigurisë u thirrën nga partitë në pushtet, deputetët e së cilës hynë në sallë nga dera e pasme. Deputetët e opozitës rrethuan kryeparlamentarin dhe shërbimet e sigurisë hynë në sallë për të nxjerrë me forcë disa nga deputetët e opozitës. Kryeparlamentari u evakuua ndërsa tre deputetë mbetën të plagosur. Forcat e sigurisë nxorën me dhunë edhe gazetarët nga lozhat e Parlamentit për të hequr mundësinë e filmimeve. Buxheti u miratua pas kësaj brenda pak minutash.


Opozita u përpoq ta bllokonte buxhetin fillimisht me propozimin e 12 mijë amendamenteve, të cilat, në rast se shqyrtoheshin, siç duhej të shqyrtoheshin, do të kërkonin disa javë kohë. Opozita kundërshton planet e qeverisë për të marrë 550 milionë euro borxhe vitin e ardhshëm, duke këmbëngulur se borxhet e vendit kanë arritur sakaq një nivel shqetësues. Qeveria u përpoq të shmangë diskutimet në komision, duke e dërguar projektbuxhetin drejtpërsëdrejti në seancë plenare. Opozita thotë se kjo gjë është e paligjshme.


Kreu i opozitës, Branko Crvenkovski, tha se dita e djeshme shënon nisjen e një revolte kundër qeverisë të ngjashme me atë që rrëzoi Sllobodan Millosheviçin në Serbi. Policia ndaloi grupime të ndryshme nga e gjithë Maqedonia të hipnin në autobus dhe të merrnin pjesë në protestë. Njëri prej këtyre grupeve bllokoi rrugën pranë qytetit të Veles. Një grup tjetër ia bëri me hile policisë, duke përdorur rrugë dytësore dhe arriti në Shkup. Gjatë javës së fundit, grupime të ndryshme si shoqata studentësh, atletësh, pensionistësh dhe artistësh, që deklarojnë se janë të pavarur, erdhën në ndihmë të qeverisë.