Kavajë, humb jetën Artur Kollçaku. Dyshohet se të rinjtë u grindën për një femër


Autori ka dyshuar se nëna e tij shoqërohej me viktimën, çka ka shkaktuar edhe zemëratë mes palëve


Një sherr me thika në mes të Kavajës ka sjellë një të vdekur dhe tre të plagosur. Gjithçka mendohet se ka ndodhur për shkak të dyshimeve që ka pasur autori i krimit, për një lidhje mes së ëmës dhe viktimës. Ngjarja e rëndë është shënuar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:30, duke tronditur qytetin. Për shkak të plagëve të rënda ka gjetur vdekjen Artur Kollçaku, ndërsa janë dërguar me urgjencë tre të lënduarit e tjerë, Ervis Kollçaku, Aldo Gryka dhe Sajmir Fiku, 39 vjeç, i martuar dhe me një fëmijë. Viktima ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, prej plagëve që ka marrë në organet jetësore.


Të lënduarit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit, për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ata kanë marrë plagë të thella në trup, pasi gjatë përleshjeve janë përdorur thika mes palëve. Mjekët bëjnë me dije se të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën, e për pasojë i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Ende nuk ka një përgjigje të saktë, nga mjekët në lidhje vijueshmërinë e gjendjes shëndetësore të plagosurve. Ata po mbahen në kujdesin e rreptë, për të bërë të mundur daljen jashtë rrezikut të jetës për tre të plagosurit. Trupi i pajetë i Kollçakut është dërguar në morgun e Durrësit, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e krimit kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë nisur punën për zbardhjen e masakrës dhe zbulimin e motivit që provokoi një masakër në qytetin e Kavajës.


Mësohet se sherri mes personave ka nisur në ambientet e lokalit, pranë ish-fabrikës së qelqit. Palët kanë përdorur dhunë verbale ndaj njëri-tjetrit. Më pas ata kanë dalë jashtë tij për të përfunduar atë që nisën brenda në kafene. Sipas burimeve të policisë, autori i vrasjes së Artur Kollçakut, dyshohet të ketë qenë Ervis Kollçaku, i cili është në gjendje të rëndë për jetën. Ai ka dyshuar se nëna e tij shoqërohej me viktimën, çka ka shkaktuar edhe zemëratë mes palëve. Personat e tjerë, të cilët kanë mbetur të plagosur, kanë qenë në vendin e krimit e për pasojë janë përfshirë në sherrin banal. Aldo Gryka dhe Sajmir Fiku 39 vjeç, janë miq të Kollçakëve. Gjithsesi polica ende nuk ka një motiv të saktë për masakrën e Kavajës. Ajo po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave të krimit, që tronditi qytetin. s.muça