Sektori


Ministria e Financave i kërkon hua bankës për të importuar energji dhe “sistemuar” CEZ-in


Qeveria kërkon 100 milionë USD kredi për të ndihmuar KESH-in të realizojë objektivat e CEZ-it


BB thotë se për Shqipërinë janë vendosur në dispozicion 300 milionë USD mbështetje për buxhetin


Prej disa muajsh, qeveria shqiptare me anë të Ministrisë së Financave ka aplikuar te Banka Botërore për të marrë kredi, por realizimi i një objektivi ka dështuar disa herë. Së fundmi, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se do të kërkohet te banka rreth 100 milionë dollarë për të mundësuar blerjen e energjisë elektrike, si ndihmë ndaj KESH-it (korporatës elektroenergjetike). Me këto para, qeveria garanton importin dhe sasitë e energjisë elektrike në treg, ndërsa CEZ-it i bën të ditur se të drejtat i ka humbur. Duke i hapur rrugë menaxhimit të ri të sistemit të shpërndarjes.


KESH është duke blerë energji me paratë e buxhetit, rreth 7 miliardë lekë, akorduar nga buxheti i shtetit në muajin tetor, me synim sigurimin e energjisë me anë të importeve. Sipas ligjit, kjo energji duhet të sigurohet nga CEZ, por kjo e fundit është në pamundësi financiare, për rrjedhojë, qeveria është duke përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë për të blerë jashtë dritat.


Gjendja e dobët financiare e KESH-it nuk mund të lejojë import të vazhdueshëm, në kushtet kur shoqëria publike është në borxhe, konsumi rritet dhe çmimet nuk janë stabël. Ndaj, qeverisë i duhen para në dispozicion, të cilat do të sigurohen përmes bankave, duke i akorduar korporatës garanci për të marrë kredi.


Një shpresë shikohet te BB-ja, e cila njëkohësisht është edhe mbajtësja e garancisë të vendosur nga shteti shqiptar, në rast se prish në mënyrë të njëanshme kontratën me CEZ (e cila në fakt është duke ndodhur).


“Është e vërtetë se qeveria shqiptare ka aplikuar për të marrë kredi, por banka ende nuk ka vendosur, pasi siç e kemi deklaruar më parë, duhen respektuar disa kushte që lidhen me stabilitetin financiar të vendit, deficitin dhe se çfarë synohet me këto para”, thonë burime zyrtare të bankës. BB thekson se për Shqipërinë, ashtu si me vendet e tjera, janë vënë në dispozicion shuma deri në 300 milionë dollarë, në kuadër të masave antikrizë, dhe masa që do të lëvrohet varet nga aftësia bindëse e palës shqiptare se çfarë do të bëjë me paratë.


A.Kola