Në mbledhjen e fundit të qeverisë për këtë vit, kryeministri Sali Berisha, është ndaluar në disa nga momentet kyç në të cilat ka kaluar Shqipëria mes të cilave refuzimi i statusit të vendit kandidat për në BE, nivelin ekonomik, investimet dhe marrëdhëniet diplomatike. Pasi ka bërë një bilanc të përgjithshëm të objektivave të arritura gjatë këtij viti, Berisha e ka cilësuar 2012-ën si mjaft të suksesshëm për qeverinë e tij. Ai ka përmendur si suksese rritjen ekonomike, investimet në infrastrukturë, arsim, etj.


“Shqipëria ia doli në kushtet e një krize të paprecedent që ka kapur Europën. Jemi qeveri që mbaroi një vepër tjetër madhore, tunelin e Kërrabës, pas Rrugës së Kombit, ëndërr shekullore kjo e shqiptarëve, dhe qindra kilometra autostradë dhe mijëra kilometra rrugë dytësore e tretësore në mbarë vendin. Qeveri me ambicie të mëdha, ndryshoi sistemin arsimor të vendit. U inaugurua një zinxhir shkollash nga më modernet dhe më gjerë. Një qeveri e cila ndër më të paktat rriti rrogat dhe pensionet sesa indeksi i çmimeve. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në rrafshin kombëtar, në njohje të republikës së Kosovës. Shqipëria ka qenë një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan”, u shpreh Berisha.


Akuzat


Berisha ka përmendur mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE, për të cilin ka bërë fajtor opozitën dhe kryesocialistin Edi Rama.


“Përveç 3 ligjeve që qeveria ka depozituar në parlament, por që zoti Rama parandjen një disfatë të thellë në zgjedhjet e 23 Qershorit, mendon se duke lënë vendin pa status, do të ndjehet më mirë, se ai që të keqen e vet do e shndërrojë në të keqe për gjithë të tjerët. Por kjo nuk do ndodhë, 23 qershori do shembë murin e bllokimit të z. Rama, dhe shqiptarët do ecin të sigurt drejt procesit të integrimit. E mbajti peng 3 vite me radhë, do e ketë barrë peng gjithë jetën varur, por demokracia kjo është në këtë kontekst nuk ka zgjidhje përveçse zgjedhje të përgjithshme, rrëzimin e murit të bllokimit me votën e shqiptarëve dhe shpresën dhe besimin se socialistët do kenë zërin e tyre në mbrojtje të interesit kombëtar e shoqëror. Mbase kanë fatin e keq se qeverisen nga bllokmenët e rinj, nga 99-ca””, tha Berisha.


Më tej, duke ripërsëritur detyrat që ka ende për të bërë komiteti për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe vendosjen në piedestalin e duhur të udhëheqësve shpirtërorë të kombit, Berisha ka kërkuar nga Rama të kërkojë falje publikisht për gjenocidin kulturor të kryer nga partia e tij, madje i ka kujtuar akuzën e bërë nga ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, i cili e akuzoi Ramën për shitje ikonash të vjedhura.


“Fatos Nano e akuzoi në katharsis se e mora nga Parisi tek shiste ikona të vjedhura. Ia ka thënë këtë për propagandë apo mbi bazë faktesh, i mbetet atij ta sqarojë, por ikonat dhe pikturat i morën më shumë amatorët e pikturës në nomeklaturë. Se ku e bazon Nano këtë deklaratë atë duhet ta sqarojë, por bëj thirrje të kthehen ikonat e marra nga institucionet e kultit, janë trashëgimi e përjetshme e kombit shqiptar. Mbi 250 prej tyre janë zhdukur dhe nuk bëhen më se u morën në atë batërdi pikërisht nga këta njerëz”,- tha Berisha.


Ali Pasha


Më tej Berisha i është rikthyer deklaratës së disa ditëve më parë, për Ali Pashën. Ai ka deklaruar se do të bëhen përpjekjet maksimale për sjelljen e kokës së Ali Pashës dhe nderimi siç duhet i figurës së tij. Kryeministri i ka kërkuar ministrit të Arsimit që të krijojë mundësinë që në Televizionin Shtetëror, TVSH të mund të japë mësime të gjuhës shqipe.  “Të jepet emisioni i gjuhës në TVSH me satelit. Cikle të vazhdueshme në mënyrë që shqiptarët kudo që janë të ndjekin mësimin rrjedhshëm të gjuhës së tyre amtare dhe historisë së tyre kombëtare”, kërkoi Berisha.


26 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)