Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e sotme një takim me gazetarët ku bëri bilancin e arritjeve të qeverisë që ai drejton gjatë vitit që lamë pas. Sipas kryeministrit, Shqipëria është sot një vend i zhvilluar falë arritjeve të shumta të qeverisë së tij.


Ai theksoi se Shqipëria gjatë tre viteve të fundit, falë reformave të shumta, ka shënuar një ulje konstante të papunësisë, rritje të mirëqenies, që sipas kreut të qeverisë është prioriteti i tij dhe mazhorancës si dhe një zhvillim të madh të infrastrukturës, duke realizuar asfaltimin mbi 10 mijë km rrugë një hark të shkurtër kohor.


“Në një hark kohor prej tre vjetësh rroga mesatare është rritur dyfish nga 120 -150% dhe pensionet janë dyfishuar. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur ulje të papunësisë, fale reformave të qeverisë. Shqipëria ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës. Shqipëria në një hark të shkurtër kohor asfaltoi mbi 10 mijë km rrugë më shumë se rajoni i marrë se bashku”- u shpreh kryeministri.


Ndërkohë sipas kreut të qeverisë, një nga synimet prioritare të mazhorancës qeverisës mbetet përsosja e reformave në drejtësi, në mënyrë që të garantohet jeta dhe veprimtaria e qytetarëve të vendit.

Duke iu referuar procesit të privatizimit të HEC-eve, kryeministri theksoi se ai ka qenë një proces tërësisht transparent, i realizuar përpara kamerave, ndërsa saktësoi se procedurat janë ende në vijim.


Ndërkohë, sa i përket privatizimit të shumëdiskutuar të Albpetrol, Berisha siguroi se gjithçka është duke u zhvilluar në përputhje me ligjim dhe se çdo qindarkë që do të përftohet nga ky privatizim do të shkojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, por saktësoi se deri më tani asnjë dollarë nuk është përfshirë në buxhetin e shtetit prej 410 mld lekë nga privatizimi i gjigantit shtetëror të naftës.

26 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)