Ëmbëlsirat janë gjithmonë një mënyrë e mirë për të uruar një festë: nga biskotat te çokollatat, pa ato as që mund të imagjinohet aroma e festave të fundvitit


Dhuratat më të preferuara të krizës


Ëmbëlsirat janë gjithmonë një mënyrë e mirë për të uruar një festë: nga biskotat te çokollatat, pa ato as që mund të imagjinohet aroma e festave të fundvitit. Në këtë kohë krize, kur nuk na e mban xhepi për të bërë dhurata të shtrenjta, një pako me biskota apo çokollata mbetet gjithmonë një zgjidhje e zgjuar. Sipas studimeve të ndryshme të bëra ndër vite, ëmbëlsirat vazhdojnë të mbeten produktet më të preferuara për të bërë dhurata në festat e fundvitit. Biskota të formave, shijeje dhe çmimeve të ndryshme, çokollatat, panteone, kek apo çfarëdo lloj ëmbëlsire njohin një konsum të paparë në ditët e fundit të vitit. Nëse nuk do të shpenzosh shumë dhe nuk ke as kohë për të gjetur dhuratën e duhur për miqtë apo të afërmit, një pako me biskota jo shumë të shtrenjta apo çokollata do t’ju shpëtojë. Sigurisht, nëse paketohen bukur, akoma më mirë!


 


Biskotat dhe çokollatat


Që në kohët e hershme kur në dyqan ofroheshin shumë pak lloje të tilla, biskotat e përgatitura vetë në shtëpi nga gjyshja ishin një mënyrë e mirë për të uruar festën. Të freskëta, me gjalpë dhe kanellë, aroma e tyre e mrekullueshme ende sot na kujton se festat kanë ardhur. Madje edhe pse ofrohen nga të gjitha llojet në treg me çmime që variojnë nga më të lirat tek më të shtrenjtat, biskotat e përgatitura vetë, për shumë prej nesh  vazhdojnë të mbeten të preferuarat. Në Francë, dyqanet e biskotave po njohin një bum të paparë në këtë fundvit. Po ashtu edhe në Angli dhe Itali. “Në këtë kohë krize të tmerrshme, jo të gjithë mund t’i lejojnë vetes të bëjnë dhurata të shtrenjta. Një pako biskota, jo shumë e shtrenjtë mund të të nxjerrë nga situata”, tregojnë ekspertët e këtij sektori. Fransua është një pronar i një dyqani të vogël ëmbëlsirash në një nga rrugët më të frekuentuara të Parisit dhe tregon se kurrë më parë si këtë vit nuk ka pasur kaq shumë kërkesa për ëmbëlsira, e sidomos biskota për dhurata. “Kemi më shumë se 100 lloje biskotash në dyqanin tonë. U ofrojmë klientëve tanë shumë lloje me shije, ngjyra dhe forma nga më të ndryshmet. Madje përgatisim edhe shumë lloje për fëmijë, me ngjyra dhe format e personazheve të tyre të preferuara”, tregon ai. Fransua shton se përveç varietetit të madh ata ofrojnë edhe një paketim shumë cilësor, të denjë për një dhuratë që të kënaqet syri kur e sheh. “Paketimet e ndryshme të përfshira në çmim, i bëjnë dhuratat më tërheqëse. Në bazë të shijes personale, klientët mund të bëjnë zgjedhjet e tyre”. Në dyqanin e tij të vogël, është një staf i tërë që merret vetëm me paketimet: nga ato më të thjeshtat tek ato më të ndërlikuara. Në fund, disa biskota, të ambalazhuara bukur dhe një tufë lule të freskëta nuk të bëjnë të mendosh fare për çmimin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për çokollatat. Aq shumë të preferuara nga të gjithë, çokollatat cilësohen si “ëmbëlsira” e pashmangshme për Krishtlindjet dhe Vitin e ri. E kush nuk i pëlqen! Për më tepër që të bëjnë edhe mirë nëse konsumohen çdo ditë në sasi të moderuar: na mbrojnë zemrën, na bëjnë më inteligjentë, na ngrenë humorin. Nëse ende nuk e keni vendosur ende se çfarë mund të blini për dhuratë mos harroni: një pako biskota apo me


çokollata, ju ndihmon të dilni nga situata. Për më tepër të jeni të sigurt se dhurata juaj do të pëlqehet pa masë. Kush janë ata që i thonë jo ëmbëlsirave për festa, dhe jo vetëm. Ata ka probleme me peshën, këto ditë nuk duhet ta mendojë: disa biskota të përgatitura vetë apo një copëz çokollate fondente nuk ju bën aspak keq. Kështu që mos e vrisni mendjen!


E në të vërtetë, me dhuratat e shtrenjta për miqtë dhe të afërmit gjithmonë mund të rrezikohet. Shumë prej tyre mund të mos pëlqehen, pasi shijet janë shumë personale. Studimet e bëra për dhuratat e fundit të vitit tregojnë se një pjesë e mirë e tyre, pavarësisht çmimit të kripur nëse nuk pëlqehen ose lihen në një cep të harruar të dhomës, ose flaken.