Avokati i Popullit dhe Transparency International Albania, organizata botërore e shoqërisë civile që drejton luftën kundër korrupsionit kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi. Qëllimi i këtij memorandumi është konsolidimi i bashkëpunimit midis palëve për referimin, shkëmbimin e informacionit dhe ankesave të individëve lidhur me shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut prej organeve të qeverisjes qendrore apo ato vendore, duke u fokusuar veçanërisht në fenomenin e korrupsionit.


Avokati i Popullit, Igli Totozani, e cilësoi si mjaft të rëndësishme këtë marrëveshje, sidomos në këtë moment, ku lufta ndaj korrupsionit është një nga kushtet e vendosura nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.


“Vlerësoj punën e kësaj organizate në çështjen aq të diskutueshme dhe problematike, siç është korrupsioni. Shqipëria është në rrugën e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe si e tillë lufta ndaj korrupsionit është një nga kushtet më të rëndësishme për t’u plotësuar”,- ka theksuar Totozani.


Ndërsa z. Lutfi Dervishi, Drejtor Ekzekutiv i TIA e ka cilësuar nënshkrimin e memorandumit si një hap modest, por konkret në betejën e gjatë kundër luftës së korrupsionit.


26 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)