Kriza
Shitësit me pakicë në të gjithë Amerikën përjetuan Krishtlindje zhgënjyese sa i përket nivelit të shitjeve para festës, bën të ditur “Reuters”. Në një përpjekje finale për të joshur konsumatorët drejt dyqaneve, supermarketet bënë ulje spektakolare të çmimeve për të gjitha llojet e mallrave me shpresë për të rikuperuar diçka nga ecuria e keqe e javëve para festës, kohë kur njerëzit zakonisht blejnë veshje e elektroshtëpiake, si dhe shumë dhurata.
Disa analistë të industrisë thanë se blerësit po bënin blerje më të vogla, megjithëse shumë prej tyre vijuan të vizitojnë dyqanet e të lundrojnë në internet. Periudha para pushimeve në SHBA sjell zakonisht 30 për qind të të gjitha shitjeve vjetore, si dhe gjysmën e fitimeve për shumë rrjete të tregtisë me pakicë. Euforia e blerësve zakonisht fillon me Ditën e Falënderimeve në fund të nëntorit dhe vijon deri në Vitin e Ri. Por këtë vit shitjet qenë zhgënjyese në krahasim me vitet e shkuara. Amerikanët duken shumë të frikësuar këto kohë për shkak të pasigurisë së krijuar me “humnerën fiskale”, data 1 janar e vitit 2013, kur uljet e taksave të kryera një dekadë më parë nga Presidenti Bush, skadojnë dhe teorikisht taksat do të rriten për shumicën e amerikanëve, duke sjellë më pak para të disponueshme për shtresën e mesme.