Tiranë
Struktura e re parashikon shpërndarje të forcave edhe në minibashkitë e kryeqytetit
Numri maksimal i punonjësve të policisë bashkiake, për Bashkinë e Tiranës, të bëhet 300 persona
Lorina Mixha
Duke nisur nga viti i ri 2013, struktura e policisë bashkiake, institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës do të ketë disa ristrukturime. Përveç detyrave dhe funksioneve që ka policia lokale, sipas ndryshimeve që pritet të ndodhin pas vendimit të Këshillit të Ministrave pritet të vendosen nga një apo më shumë policë bashkiakë rreth e qark njësive vendore. Minibashkitë përveç shërbimeve, gjendjes civile, shqyrtimit të dokumentacionit, kanë në menaxhim tregjet ushqimore, mbetjet, shqyrtimin e ankesave apo kërkesave të qytetarëve për shtëpitë e tyre, apo problemet në komunitet. Për t’i ardhur në ndihmë njësive, policët e rinj që do të punësohen, do të jenë në dispozicion jo vetëm të policisë, por edhe njësive vendore.
Brenda dy javëve, struktura e Bashkisë së Tiranës do të ndryshojë dhe pritet të punësohet një personel me 60 punonjësish më shumë. Numri aktual i punonjësve të policisë bashkiake do të bëhet 300 nga 240 që ka qenë më parë. Këto janë ndryshimet që parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave, miratuar pak kohë më parë.
Në strukturën e policisë bashkiake, sipas organigramës nuk përfshihen punonjësit e policisë ndërtimore, strukturë edhe kjo në varësi të pushtetit vendor.
“Në mbështetje të nenit ‘Për organizimin dhe funksionimin e policisë së bashkisë dhe komunës’, i ndryshuar, Këshilli i Ministrave vendosi: Numri maksimal i punonjësve të policisë bashkiake, për Bashkinë e Tiranës, të bëhet 300 persona. Ndërsa numri i përgjithshëm i punonjësve të policisë së bashkive dhe komunave të bëhet, gjithsej, 1150 veta”, thuhet në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Duke iu referuar të dhënave të vitit 2007, për strukturën e drejtorisë së policisë bashkiake, rezulton se numri i punonjësve në total ka qenë 200, nga të cilët 1 kryeinspektor, 26 inspektorë dhe 173 policë. Me ndryshimet që pësoi një nga nenet e këtij ligji, një vit më vonë, konkretisht në vitin 2008, numri i stafit të policisë bashkiake ishte 250 në total, nga të cilët 1 kryeinspektor, 30 inspektorë dhe 219 policë.
Ky është ndryshimi i fundit brenda viteve 2007-2012, ku numri i punonjësve të policisë bashkiake këtë herë rritet me rreth 60 persona më shumë.
Punësimet – Brenda dy javëve, struktura e Bashkisë së Tiranës do të ndryshojë dhe pritet të punësohet një personel me 60 punonjës më shumë.
Vendimi – Këshilli i Ministrave vendosi: Numri maksimal i punonjësve të policisë bashkiake, për Bashkinë e Tiranës, të bëhet 300 persona
Organigrama – Në strukturën e policisë bashkiake, sipas organigramës nuk përfshihen punonjësit e policisë ndërtimore, në varësi të bashkisë
Struktura
Bashkia, rreth 500 punësime në dy vjet
Brenda dy viteve, në bashkinë e kryeqytetit janë bërë emërime, dorëheqje, largime e ristrukturime. Ndryshimet kanë përfshirë amendimet e organigramës së vjetër, por edhe shtimin e sektorëve të rinj. Në 2012-n, administrata bashkiake kishte 2893 punonjës në total, ndërsa në 2013-n, numri i punonjësve arrin në 3364. Pra një rritje me 471 persona, të cilët i kushtojnë buxhetit të bashkisë, qytetarit të Tiranës rreth 3.7 milionë dollarë. “Kjo fryrje artificiale e administratës, qartazi është për efekt elektoral, dhe e gjitha në shpinë të qytetarëve të Tiranës. Haptazi ju nuk mund të siguroni një shërbim më të mirë për qytetarët e Tiranës, kjo tashmë është e dukshme, madje e dokumentuar edhe në buxhetin që keni sjellë për miratim”, sqaruan këshilltarët opozitarë