Zbulohen raste kur tregtarët e armëve përdorin lojërat si platformë reklame
Një nga prodhuesit më të rëndësishëm të lojërave elektronike me luftë në SHBA, ka pasur një partneritet të gjatë fitimprurës me disa nga prodhuesit amerikanë të armëve, bën të ditur the “New York Times”, duke zbuluar një fakt tjetër të debatin e gjerë mbi kulturën e armëmbajtjes dhe dhunës në Amerikë.
“Electronic Arts” e cila në tetor hodhi në qarkullim lojën “Medal of Honor Warfighter”, versionin më të ri të një programi shumë popullor në SHBA, krijoi në të njëjtën kohë një faqe interneti që u bënte reklamë prodhuesve të armëve, përfshirë armët e zjarrit, thikat apo pajisjet e tjera luftarake që tregohen me saktësi të madhe nëpër lojërat elektronike me luftë.
Mes partnerëve reklamues të lojërave elektronike të kësaj kompanie, qenë grupi McMillan, i cili prodhon pushkë snajper shumë të fuqishme dhe Magpul, që shet karikatorë me kapacitet të lartë e pajisje të tjera plotësuese për armët e stilit luftarak sulmues. Lidhjet në faqen e internetit të lojës elektronike u mundësonin vizitorëve të shkonin te faqet e tregtarëve të armëve dhe të njihnin nga afër armët që fillimisht i kanë përdorur pa dëm në botën virtuale për të vrarë impulse elektronike.
“Qe njësoj si një galeri për ekspozimin e armëve në internet”, thotë Ryan Smith, një gazetar për një revistë në internet mbi lojërat elektronike. Pasi Smith dhe të pasionuar të tjerë të lojërave elektronike kritikuan kompaninë, Electronic Arts i hoqi lidhjet me faqet e tregtarëve të armëve dhe deklaroi se nuk kishte dijeni për to.
Industria e lojërave elektronike është përfshirë në debatin kombëtar mbi dhunën dhe armët së fundmi, pasi Shoqata Kombëtare e Armëve, një grup mbështetës i shitjes së lirë dhe pa limit të armëve në SHBA, deklaroi se media dhe lojërat elektronike janë përgjegjësit e vërtetë të masakrave të shpeshta nga njerëz të çekuilibruar që hapin zjarr mbi turmat e njerëzve të pafaj, siç ndodhi dy javë më parë në qytetin Njutoun në Konektikat, ku 20 fëmijë 6-7 vjeç dhe gjashtë mësuese u vranë në një shkollë.
Megjithëse shumë studime nuk kanë gjetur një lidhje mes lojërave elektronike dhe dhunës me armë, rasti i lojës që reklamon armët tregon se si industria e armatimeve dhe lojërat elektronike kanë krijuar një aleancë të fuqishme me përfitime të ndërsjella.
Shumë prodhues të armëve të zjarrit janë gjithashtu financues të shoqatave të të pasionuarve pas armëve. Shoqata Kombëtare e Armëve financohet hapur nga McMillan, Magpul apo prodhuesit e tjerë të armëve si Glock, Browning dhe Remington. Ekspertët e marketingut thonë gjithashtu se lojërat elektronike shihen si një mënyrë shumë e mirë për reklamimin e armëve te miliona amerikanë.
Armët e paraqitura në lojërat elektronike janë shpesh të krijuara për të paraqitur karakteristikat e vërteta të armëve në botën reale. Fuqia e zjarrit, forma, përmasa e pesha elektronike janë në përputhje të plotë me ato reale. Por si kompanitë prodhuese të armëve, ashtu edhe ato të lojërave, thonë se ngjashmëria mes armëve të vërteta dhe ato virtuale nuk është shoqëruar me përfitime të drejtpërdrejta financiare, gjë që do të thotë se kompanitë e armëve nuk rezulton të kenë paguar për të futur armët e tyre në lojërat elektronike dhe kompanitë e lojërave nuk kanë paguar për përdorimin e armëve reale, të cilat në të gjitha cilësitë, përfshirë edhe pamjet, janë të patentuara.
Arma më e pranishme në lojërat elektronike, si dhe në filma, është një pistoletë e prodhuar nga kompania austriake “Glock”.