Të dhëna
Propozimi – Për shkak të rritjes së popullsisë, parashikimeve për ndërtime dhe zgjerim të mëtejshëm të kryeqytetit, parlamenti vendor propozon ndryshime për vijën e verdhë
Kryetari – Kreu i Bashkisë së Tiranës ka sqaruar në këshillin bashkiak se zgjerimi i kryeqytetit dhe ndryshimet e karakterit vendor nuk janë kompetencë e bashkisë
Parashtrimi – Kërkesa e këshilltarëve do të paraqitet dhe do të kërkohet të shqyrtohet në institucionin e KRRTRSH-së, Këshillit të Rregullim Territorit vitin e ardhshëm
Sugjerimi do t’i përcillet KRRTRSH-së
Lorina Mixha
Disa prej anëtarëve të këshillit bashkiak dhe në mënyrë të veçantë, një prej këshilltarëve përfaqësues i PDIU-së, kanë propozuar në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak rishikimin e vijës së verdhë.
Për shkak të popullsisë në rritje, parashikimit të zgjerimit të kryeqytetit si në infrastrukturë dhe bashkëpunimin edhe me komunat fqinje, sipas anëtarëve të këshillit bashkiak lind edhe nevoja e ripërcaktimit të disa “kufijve” dhe përkatësisht për zonën e quajtur vija e verdhë e Tiranës. Kreu i bashkisë ka respektuar sugjerimet dhe propozimet e anëtarëve të këshillit bashkiak dhe ka sqaruar të gjithë në mbledhjen e fundit, se ndarja territoriale, administrative e vendore nuk është në kompetencë të parlamentit vendor as të Bashkisë së Tiranës. Përcaktime dhe ndarje të tilla, diskutime dhe sugjerime ku rrihen të tilla ndryshime bëhen nga sektorë dhe institucione të tjera, të cilat sipas ligjit kanë kompetenca për të ndërmarrë nisma të tilla. Gjithsesi nisur nga diskutimi por edhe nga nevoja e kryeqytetit është menduar që një propozim i tillë të përcillet në qeverinë qendrore.
Është kërkuar nga anëtarët e këshillit bashkiak zhvillime studimesh pjesore dhe të plota për zonat informale. Në periferi, sipas planit urbanistik, ndërtimet do të jenë me intensitet më të ulët, ndryshe nga qendra ku zona të veçanta do të kalojnë edhe 8 kate lartësi. Nisur nga zhvillimi që do të marrë qyteti, prurjet dhe migracioni, ndërtimet e realizuara deri tani, por edhe nevoja në të ardhmen, kërkohen zhvillime të studimeve dhe përcaktimit të zonave periferike.
Sa i takon vijave të trasha të zhvillimit të qytetit, kreu i bashkisë ka sqaruar se gjithçka që do të pësojë Tirana është e përcaktuar në planin urbanistik dhe asgjë nuk do të kalojë kornizat e këtij dokumenti që për zhvillimin e qytetit mund të quhet “Kushtetutë”.
“Ky plan përcakton në vija të përgjithshme drejtimet e zhvillimit të qytetit, që nga nëntoka, tek infrastruktura, harta e përdorimit të tokës, te shpërndarja e komponentëve të ndryshëm të një qyteti, ekonomik, social, kulturor, biznesi, banimi, rekreacioni, gjelbërimi. Asnjë leje zhvillimi nuk mund të jepet thjesht me planin e përgjithshëm. Plani i përgjithshëm normon. Për ta bërë pak më të prekshme, plani është ‘kushtetuta’. Asnjë kushtetutë nuk zbatohet drejtpërdrejt. Ka nevojë për ligjet organike dhe ligje të tjera mbi të cilat nis zbatimi i dispozitave të ndryshme, por ky plan është ‘kushtetuta’ e qytetit”, sqaroi Basha.
Sipas tij, plani përcakton normat dhe kushtet po jo se sa sipërfaqe do të ndërtohet, sepse ndërtimi është në dorë të investitorëve dhe të pronarëve. Koeficientët janë të parashikuara sa u përket sipërfaqeve të gjelbra, jemi në kuotat 0.8 m² për banor, rezultat i drejtpërdrejtë, nga njëra anë e presionit që ka ardhur nga shtimi i popullsisë dhe nga ana tjetër, e zhvillimit pa plan të qytetit. Synimi i planit është të kalojë në normën prej 3 m² për person, që është afërsisht 3.4% por jo më pak. Parku i Liqenit ruan vijën e përcaktuar nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit.
Pjesa perëndimore e këtij parku, që sot karakterizohet nga shpate të zhveshura, të pyllëzohet me qëllim që të shtohen 80% pjesët e pyllëzuara të parkut të liqenit.
Në planin e detajuar vendor të Digës është përcaktuar si zonë me prioritet zhvillimi në qytetin e Tiranës. Nuk mund dhe nuk do të zhvillohet as hapësira aktuale e pishinave dhe as hapësira aktuale e klubit “Dinamo”. Zhvillimi i projektit të mëparshëm parashikonte zhvillim intensiv të zonës poshtë digës, ndërkohë nga parashikimet e këtij plani që natyrisht do të detajohet me PDV, ¾ e kësaj zone do të kalojnë në ruajtje.
Parashikimi
Brenda shkurtit nis ndërtimi i bulevardit të ri
Brenda muajve janar-shkurt do të fillojë puna parapërgatitore për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, me zhvendosjen e linjës së tensionit të lartë që kalon një pjesë edhe te bulevardi “Zogu i Parë”, si dhe zhvendosja e hekurudhës dhe stacionit aktual të trenit. “Pra, është një arterie e gjelbër, me një park të ri dhe nëse mund ta imagjinojmë pak Tiranën të vendosur përmes dy parqeve, dy lumenjve, pjesa e bulevardit që nis nga stacioni i trenit deri te bulevardi i Paskuqanit do të jetë edhe pjesa më e gjelbër e qytetit. Virtyt i këtij plani, është se ai shkon në Këshillin Kombëtar të Territorit, bashkë me planet e gjithë komunave rrethuese, duke përfshirë Dajtin, Kasharin, Kamzën, Paskuqanin, Farkën dhe Bërzullin dhe Vaqarrin”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.