Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp të mbajtur pasditen e sotme ka denoncuar falimentimin tërësor sipas tij të tregut në Shqipëri, si dhe grabitjen e pasurive të shqiptarëve nga pushteti aktual që drejton vendin.


Fillimisht Rama e ka vënë theksin tek ekonomia, e cila sipas tij paraqet rënie të vazhdueshme në sektorët kryesorë.

“Sot ekonomia reale paraqet rënie të vazhdueshme në sektorët kryesorë. Sot është koha për një kapitull të ri, duke rindërtuar modelin ekonomik”, ka thënë Rama, sipas të cilit vëmendje të veçantë do sistemi energjetik, duke theksuar se ky sektor është në një gjendje kritike për shkak të privatizimit të gabuar të shpërndarjes që ka sjellë një dëm prej 1 miliard dollarë.

Sipas tij, edhe privatizimi i HEC-eve po bëhet në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe për këtë arsye, kur PS të vijë në pushtet do të rishikojë procesin.


“Është privatizuar me humbje vetëm për të futur ca para në arkën e zbrazur të shtetit. Por ajo që ndodh është jo vetëm një dëm 115 milionë eurosh, por edhe një fluks negativ parash. Kjo nuk është procedurë privatizimi, kjo është grabitje dhe ne nuk do ta njohim privatizimin e 4 HEC-eve”, ka thënë Rama.


Një tjetër aferë e errët e përmendur nga lideri i opozitës ka qenë ajo e koncesioneve të “shumëtrumpetuara” në energjetikë, të cilat sipas tij nuk u kanë sjellë asnjë përfitim qytetarëve dhe që do të rishikohen me kujdes.


“Koncesionet janë kthyer në letra që tregtohen në një treg të zi të interesave politike. Ne do t’i zhbëjmë koncesionet korruptive. Edhe koncesioni i hidrokarbureve do të ribëhet. Dëmi vjetor nga ky koncesion është 15 milionë euro në vit, ose 150 milionë në 10 vjet”, – ka nënvizuar Rama.


Më tej keru i PS iu referua edhe sektorit të naftës, i cili sipas tij është jashtë kontrollit si dhe privatizimit të Albpetrol.

“Edhe privatizimi i Albpetrol ishte një proces i errët. U deklarua një shifër e bujshme, por që s’ishte e besueshme. Por sot Albpetrol nuk është as i privatizuar, as i shtetit. Është thjesht një strukturë që lidhet me një pjesë të rëndësishme të pasurisë së shqiptarëve, ku vidhen 100 mijë ton naftë në ditë. 15 milionë dollarë dëm në ditë. Dëmi i 8 viteve qeveri është 400 milionë dollarë. Po ashtu, edhe ARMO është një aset i shpërdoruar”, – ka theksuar Rama.

26 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)