Aksidenti në Shkodër, palombarët nxjerrin trupat e pajetë të dy kushërinjve

Foto ilustruese

Palumbarët e Reneas kanë arritur të gjejnë makinën e dy kushurinjve Kolndrekaj, si dhe të nxjerrin nga uji, trupat e pajetë të dy të rinjve.

Kërkimet për gjetjen e makinës si dhe trupat e Alfonsit dhe Paskualinos, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç rinisën mëngjesin e sotëm, pasi dje u ndërprenë për shkak të errësirës. Në ndihmë të efektivëve vendas, erdhën palombarët e Reneas,  pasi thellësia dhe uji i rrëmbyeshëm i lumit Drin vështirësonte kërkimin e dy kushërinjve nga fshati Stajkë, i Komunës së Bushatit.

Të afërmit e të rinjve, kishin deklaruar se kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre, që prej mbrëmjes së 24 dhjetorit, ndërkohë mësohet se ata kishin dalë për të festuar vigjiljen e Krishtlindjes.  Ngjarja e rëndë rrugore ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur “Kthesa e Beltojës”, në rrugën nacionale Shkodër- Tiranë.  Makina tip “Golf 4″ me ngjyrë blu, në të cilin udhëtonin Alfons dhe Paskualino Kolndrekaj, është përplasur me parmakun e urës së Beltojës dhe më pas ka rënë në ujërat e lumit Drin.

26 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 26 Dhjetor 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry