Pesë të përzgjedhurit e Sidrit Bejlerit kanë qenë të fundit që u përballën në “Knock Out”. Këtë të premte të gjithë do të përjetojnë të tjera emocione. Fillojnë “Netët live”. Gjithçka live në një garë që bëhet më e vështirë
Valbona Zhuleku: Nuk do të ndalem pa një kontratë diskografike
Valbona Zhuleku tërhoqi që në fillim vëmendjen e trajnerëve me zërin e saj të fuqishëm. E lindur në Tiranë dhe e rritur në Elbasan, angazhimi i saj në muzikë ka nisur që fëmijë. E angazhuar në çdo aktivitet kulturor në shkollën fillore, atë tetëvjeçare, në moshën 17-vjeçare pjesëmarrja e saj në trupën profesioniste të teatrit “Skampa” të Elbasanit dhe Shtëpisë së Kulturës e bën edhe më aktive. “I jam shumë mirënjohëse udhëheqësit artistik të teatrit gjatë asaj kohe, z. Edmond Rrapi, i cili pa potencial tek unë dhe më besoi edhe dy nga kompozimet e tij. Kompeticionet kanë qenë pjesë e kësaj rruge artistike. Në vitin 2000 kam fituar një konkurs midis të rinjve në Elbasan të quajtur ‘Maratona Rinore’ dhe në vitin 2002 isha finaliste në Festivalin e Këngës”, tregon Valbona. Aktualisht, ajo jeton në Angli ku këndon live në lokale, vend në të cilin ka marrë pjesë dhe është renditur ndër 100 më të mirët e një formati të ngjashëm.
Ti je një ndër pesë konkurrentet e Sidritit për në “Netët Live”. Si është marrëdhënia jote me të kënduarit live?
Nuk më tremb i kënduari live, përkundrazi më pëlqen dhe më jep emocion.
Ti e ke përjetuar më parë një konkurrim të tillë. Pse vendose ta provoje sërish në “The Voice”?
Ambicia ime është që të kem një kontratë me një nga shtëpitë diskografike më të suksesshme në botë dhe nuk do të rresht së përpjekuri derisa ta posedoj. Gjithashtu, një arsye tjetër që më shtyu të marr këtë vendim ishte prezantimi im te publiku ynë artdashës.
Pavarësisht se deri në ç’fazë shkon, a ka ndikuar kjo periudhë në vendimet që do të marrësh apo ke marrë për të ardhmen tënde?
Besoj se “The Voice of Albania” do të hapë një etapë të re në karrierën time artistike. Mendoj se pas përfundimit të saj kam për të marrë disa vendime shumë të rëndësishme për sa i përket drejtimit në të cilin do të vazhdoj.
Jehonë Lumi: Pres më shumë nga “Netët live”
Jehonë Lumi, vajza që vjen nga Suhareka, është konkurrentja e pestë që Sidriti Bejleri zgjodhi për ta çuar në “Netët live”. Interpretimi i saj dhe i Venerës përballë njëra-tjetrës u komentua si dueti më i bukur i skuadrës së Sidritit, ndaj dhe Jehona e mori një mundësi të dytë. Në fakt, ajo pret më shumë nga “Netët live” duke qenë se deri tani rrugëtimi i saj në “The Voice of Albania 2” ka qenë përmes mundësive të dyta. Fillimisht në skuadrën e Eltonit, në fazën e “betejave” kaloi si “blerje” e Sidritit. Dalja e parë në skenë ka qenë në klasë të parë dhe prej asaj kohe ka kënduar në aktivitete dhe festivale të ndryshme. Aktualisht jeton dhe studion në Prishtinë për Komunikim Masiv dhe Gazetari.
“Knock Out” qe një sfidë shumë e fortë për ty në përballje me Venerën. Sa dyshove që rrugëtimi yt mbaroi aty?
Knock Out-i ishte një sfidë mjaft e fortë. Në përballje me Venerën pati edhe ndonjë dyshim të vogël që rrugëtimi im mund të mbaronte aty, kjo jo sepse nuk kisha besim në talentin tim, por disa konkurrentë në “The Voice” e morën famën që në fillim.
Në fillim në skuadrën e Eltonit e tashmë në atë të Sidritit. Çfarë përfitove nga puna me të dy?
Të dy janë shumë të mirë. Kam përfituar shumë duke punuar me të dy, por meqenëse tani u bë kohë që jam në ekipin e Sidit, i kam më të kthjellëta gjithë këshillat dhe punën e zelltë që ai bën me ne.
Deri më tani, mundësitë e dyta të kanë çuar më tej në këtë konkurrim. Netët Live do të jenë një tjetër përballje e fortë. Cila do të jetë filozofia jote?
Për “Netët live” do të mundohem që kënga të dalë sa më mirë. Po përgatitem shumë për këtë gjë, pasi kënga që kam zgjedhur është shumë impenjative. Shpresoj që publikut do t’i pëlqejë.
Çfarë përfaqëson “The Voice” për ty?
“The Voice of Albania” është një kompeticion shumë i rëndësishëm për mua, pavarësisht që nuk jam shumë e kënaqur se si vajtën gjërat deri këtu, jo për fajin tim. Pres më shumë në vazhdim, pasi e shoh këtë talent show si një mundësi shumë të mirë për të më prezantuar si një këngëtare të re në trojet shqiptare dhe më tej.
Egzon Pireci: Së shpejti në “Top Fest”
Egzoni e konsideron muzikën si pjesë thelbësore të jetës së tij. Ai vjen nga Prizreni dhe në përballje me Labinotin, ia doli të shkojë në “Netët live” si një nga të përzgjedhurit e Sidritit. Njëzetvjeçare aktualisht studion në Prishtinë në Fakultetin Juridik. Skena dhe publiku është një motivim i fortë për të.
Përballë Labinotit ia dole të shkosh në Netët Live. Sa të motivon kalimi në këtë fazë?
Sigurisht që fitorja në përballje me Labinotin më motivon më shumë për këtë fazë, që ka një rëndësi të veçantë dhe kyçe në këtë konkurrim. Për këtë po punoj fort. Por pavarësisht faktit se ndodhemi në prag të kësaj faze të re, unë kam qenë gjithnjë i motivuar. Jam gati të jap edhe shpirtin në skenë (Qesh).
Muzika, skena dhe publiku, janë në planet e tua afatgjata?
Më duket se kam lindur duke kënduar dhe jo duke qarë. Për aq sa unë kujtoj dhe më ka treguar familja, që në moshën tre ose katërvjeçare këndoja bukur dhe imitoja këngëtarët e asaj kohe, madje edhe vishesha si ata. Publiku është drita jeshile që mua si këngëtar më motivon të këndoj dhe të përcjell emocione të pafundme. Jam duke përfunduar këngën time të re që besoj se do të jetë pjesë e “Top Fest 10”. Me pak fjalë, rruga për mua sapo ka filluar dhe do të mbarojë atëherë kur edhe unë të mos jem më në këtë jetë.
Cili ishte qëllimi kur u bëre pjesë e “The Voice”?
Qëllimi im ishte realizimi i performancave të arrira dhe të pëlqyera nga publiku dhe ky do të jetë qëllimi im deri në fund të “The Voice”.
Cila mendon se është pika më e fortë në përballjen me konkurrentët e tjerë?
Pika më e fortë e imja jam vetë unë (Qesh). Secili ka të veçantat dhe specifikën e vet dhe unë kam të miat që i vëren juria dhe mbi të gjitha publiku. Në moton time, në skenë dhe për skenën mund të bëj gjithçka. Për sa u përket konkurrentëve të tjerë, janë të gjithë të mirë dhe i vlerësoj shumë, sepse e di që secili mundohet të japë më të mirën.
Venera Lumani: Punoj shumë, ndaj jam e sigurt në skenë
Venera Lumani që në “Audicionet e verbra” u dallua për përshtatjen dhe natyrshmërinë e sjelljes në skenë. Performancat e saj kanë vazhduar të jenë shpërthyese. Vajza nga Struga, aktualisht jeton në Shkup ku vazhdon fakultetin për kanto. Forumi i saj muzikor ka nisur që në shkollën e ulët të muzikës e më pas ka vazhduar me angazhimin e saj në festivalet e fëmijëve.
Sa të synuara ishin për ty “netët Live” kur u bëre fillimisht pjesë e konkurrimit dhe cila është ambicia më tej?
“Netët live” ishin motivi që më shtyu drejt këtij konkurrimi. E shoh si fazën ku do të kem mundësi të shfaq aftësitë dhe limitet e mia vokale. Komunikimi me kamerat, me publikun, të jep një tjetër ndjenjë në këtë performim të drejtpërdrejtë. Sado që të zgjasë rrugëtimi im në “The Voice of Albania”, një gjë është e sigurt: unë vetëm përfitoj më shumë profesionalisht dhe nuk humb asgjë. “The Voice” është një trajnim i mirë për secilin nga ne, duke na përgatitur edhe për përballjen me një skenë më të madhe.
Në çdo fazë ty të ka karakterizuar një besim ose gati siguri se do të kaloje në tjetrën. Ku e ka burimin?
Në punën e madhe. Nëse unë jam e sigurt se diçka mund ta bëj, preferoj ta shpreh për të qenë e sinqertë me publikun. Nuk dua t’i fshihem. Mund të jetë edhe e gabuar kjo zgjedhje e imja, por përderisa unë ndihem ashtu, dua ta ndaj edhe me të tjerët. Mendoj se publiku ka nevojë për njerëz të sinqertë.
Nuk ka kaluar pa u vënë re përshtatja jote me skenën. Kjo është e natyrshme apo vjen edhe si pasojë e një përvoje?
Edhe pse përvoja ka ndikuar pak, gjithsesi është shumë spontane ajo që ndodh në skenë. Të gjithë më thonë që jam shumë e qetë në jetën e përditshme dhe shumë ndryshe nga shfaqja në skenë, por atje kam një përjetim krejt tjetër. Pesë minutat e pritjes janë të tmerrshme për mua, humbas vetëbesimin, por me të dalë në skenë gjithçka ndryshon. Unë e kam thënë edhe më parë, sado e vogël qoftë skena, duhet respektuar, sepse ta kthen atë që jep.
Cilin sheh si konkurrentin më të fortë për ty deri tani nga të katërta skuadrat?
Ka disa, është Jozefina, Matej, Lindi, Valbona etj., që janë edhe të preferuarit e mi. Nëse unë nuk fitoj, do t’ia uroja fitoren njërit prej tyre.
Lind Islami: Dua të vazhdoj si kantautor
Lind Islami është i njohur për publikun që në moshë të vogël në konkurrimet muzikore, por më pas edhe në prezantimin e tij në “Top Fest 8 dhe 9”. Ai ka lindur në Pejë dhe është djali i këngëtarit të njohur të muzikës shqiptare, Bedri Islami, i cili ka qenë edhe i pari që i ka zbuluar talentin. Lindi ka bërë shkollën e ulët të muzikës për kitarë në Pejë. Gjatë viteve ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare si në Bullgari ku ka marrë çmimin e parë e po ashtu në Festivalin Europian në Odesa të Ukrainës, ku ka zënë sërish vendin e parë. Aktualisht studion në Tiranë për arkitekturë.
Ti ke qenë i pranishëm që i vogël në skenë, ke konkurruar edhe në “Top Fest 8 e 9”. Çfarë të ka falur ndryshe përvoja në “The Voice”?
Është e para herë që këndoj si i rritur në një kompeticion live. “The Voice of Albania” është një mundësi shumë e mirë dhe një ndihmesë për vazhdimin e karrierës. Ky format të përgatit për të gjitha sfidat që duhet të kalojë një këngëtar dhe jo vetëm për performimin.
Cili ishte arsyetimi yt kur vendose që t’ia besoje Sidritit rrugëtimin tënd në këtë spektakël?
Si fillim e mendoja “The Voice of Albania” më shumë si një eksperiencë jetësore. I respektoj shumë të gjithë trajnerët, por gjithmonë më ka pëlqyer mënyra e komunikimit të Sidit dhe profesionalizmi i tij në fushën e muzikës. Puna me të ishte ashtu siç e kisha menduar. Këshillat e tij i gjej shumë të arsyeshme dhe më ndihmojnë në formimin tim.
Çfarë do të zbulojë publiku te ty gjatë “Netëve live”?
Që në performancën e parë unë do të dal me një këngë krejt ndryshe nga ato të deritanishmet. E reja e prezantimit tim në “Netët live” do të jetë prezantimi me stile të ndryshme. Nga ana tjetër, e bukura e ‘netëve live” është transmetimi i drejtpërdrejtë i emocioneve që të fal skena, ndaj do mundohem të jap sa më shumë nga vetja.
Ti ke kompozuar për “Top Festin” këngën tënde të parë. Do të vazhdosh si kantautor?
Është ndër synimet e mia që të vazhdoj si këngëtar dhe si kantautor. Gjatë gjithë kohës kompozoj, e kryesisht në rrymën pop rrok. Kompozoj shumë, por ato që më duken më të vlefshme ia tregoj fillimisht babit dhe nëse na duket e arsyeshme, filloj punoj më seriozisht. Babai im është mbështetësi, por edhe kritiku më i madh i imi. Për momentin jam përqendruar vetëm në “The Voice”.
Pesë të përzgjedhurit e Sidrit Bejlerit kanë qenë të fundit që u përballën në “Knock Out”. Këtë të premte të gjithë do të përjetojnë të tjera emocione. Fillojnë “Netët live”. Gjithçka live në një garë që bëhet më e vështirë 


