ETHEM ÇEKU
Qeveritë nuk mund të krijojnë pasuri, mirëpo mund të krijojnë ndërmarrjen e lirë të lulëzojë – kongresmeni i SHBA-së, Bill Owens
Kosova është një ndër vendet e fundit që ka kaluar në ekonominë e tregut dhe procesin e tranzicionit dhe ka filluar nga një pikë fillestare shumë e vështirë. Kosova ka një histori të gjatë të dominimit të etatizimit në të gjitha fushat. Të dhënat tregojnë që shkalla e papunësisë në Kosovë në vitet e fundit është luhatur 40-50%. Kjo është shkalla më e lartë se në cilën do ekonomi të zhvilluar, por edhe në krahasim me ekonomitë në tranzicion në Europën Juglindore.
Papunësia dhe varfëria në Kosovë vazhdojnë të jenë problemet më të mëdha të shtetit tonë. Të rinjtë janë padyshim kategoria më e prekur nga papunësia, ku sipas statistikave, rreth 73% e të rinjve të grupmoshës 15-24 vjet janë të papunë. Shkalla e papunësisë për ata që kanë kryer shkollim të lartë është rreth 40%, e atyre me shkollë të mesme rreth 55%, ndërsa e atyre me vetëm shkollim fillor 62%. Këto janë shifra alarmante, që rëndojnë situatën dhe ndikojnë në stabilititetin politik dhe ekonomik të shtetit tonë, si dhe janë faktor potencial për tensione sociale.
Gati çdo herë, zhvillimin ekonomik e lidhim me prodhimin, por në fakt, rol shumë të rëndësishëm, thuajse fundamental ka ndërtimi i kuadrove profesionale, të cilët do të jenë bartës të këtij zhvillimi.
Pikërisht ndërtimi i një shteti të zhvilluar lidhet me përgatitjen profesionale të të rinjve për tregun e punës. Vizioni i shtetit mund të përcaktojë të ardhmen e tij, duke e orientuar rininë e vendit në drejtimin e duhur, proces i cili fillon qysh në hapat e parë të edukimit të gjeneratave të reja. Ky orientim duhet të lidhet jo vetëm me zhvillimin e njohurive dhe shkathtësive profesionale, por edhe me përgatitjen dhe aftësimin e tyre për të krijuar vende pune për vete dhe të tjerët.
Qëllimi për të krijuar ndërmarrës kërkon gatishmëri, përkushtim dhe punë sistematike në ndryshimin e proceseve, duke filluar nga reformimi i planeve dhe programeve arsimore, në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe nevojave të vendit.
Për t’u realizuar e gjithë kjo, natyrisht se kërkohet reformim tërësor i të gjithë sistemit arsimor, duke i përfshirë të gjitha nivelet e edukimit. Pjesë përbërëse e gjithë kësaj sfere, patjetër se duhet të jenë ndryshimi i kurrikulave, planeve dhe programeve edukative, zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësimdhënësve konform të arriturave të fundit në shkencë dhe teknologji, si dhe procesi i mësimdhënies dhe nxënies në nivelet parauniversitar dhe universitar.
Ka shembuj të shumtë të shteteve të cilat kanë përjetuar një ngritje të konsiderueshme ekonomike, pikërisht duke u bazuar në ngritjen e kapaciteteve të brendshme njerëzore e që ka rezultuar me efekt multiplikator në mbarë ekonominë vendore. Më i freskët dhe më relevant me situatën tonë është ai i Irlandës. Por, mund të përmenden edhe shtetet e tjera më të mëdha e sidomos India e Turqia, por edhe më të vogla, por shumë cilësore, si Finlanda dhe Singapori. Nxënësit nga këto shtete janë prej më të mirëve në garat ndërkombëtare të diturisë, falë një kurrikule të orientuar nga dija, më shumë se sa nga edukimi konvencional. Nga ana tjetër, India ka arritur të përdorë trurin e vet rinor për t’i ofruar tregut global shërbime nga më të ndryshmet pa pasur nevojë për ndërrim të vendndodhjes, përmes modeleve të ndryshme të “outsourcing-ut”. E këto suksese në vendet e sipërpërmendura kanë ardhur vetëm pas një procesi të dhimbshëm të reformimit arsimor dhe harmonizimit të kërkesës së tregut dhe ofertës së sektorit të arsimit. Reformimi në arsim është proces shumë i ndërlikuar dhe ndonjëherë shumë i vështirë për t’u realizuar, në qoftë se nuk arrihen të përfshihen tërë hallkat e këtij sistemi. Prandaj, në realizimin e reformimit duhet të përfshihen të gjitha institucionet parauniversitare dhe universitare, në mënyrë që ky ndryshim të jetë i suksesshëm.
Një numër i konsiderueshëm i të rinjve edhe pas diplomimit mbeten të papunë, gjë që e bën gjendjen e tyre shumë të vështirë. Shkaqet e pamundësisë së gjetjes së vendeve të punës janë të shumta. Janë bërë hulumtime të ndryshme, të cilat kanë identifikuar një numër të konsiderueshëm të këtyre shkaqeve, e ndër to vlen të përmendet: mosekzistenca e një lidhje bashkëpunimi të mirëfilltë mes universitetit dhe tregut të punës. Gjithashtu faktor tjetër është edhe mospërshtatja e programeve të studimeve me kërkesat e tregut prej nga rrjedh pakënaqësia e tregut të punës me përgatitjen profesionale dhe kompetencën e të sapodiplomuarve, si dhe mungesa e përfshirjes së praktikës profesionale të obliguar, gjatë procesit të studimeve.
Ky pasqyrim i gjendjes tregon se sistemi arsimor duhet të bëjë ndryshime në reformim, në mënyrë që të prodhojë kuadro me aftësi profesionale jo vetëm për tregun e punës në Kosovë, por edhe më gjerë.
Me miratimin e Kornizës së re Kurrikulare të Kosovës, nga Kuvendi i Kosovës (2011) dhe vendimin përkatës nga Ministria e Arsimit, kemi hyrë në një fazë të reformimit, e cila si proces nuk është aspak e lehtë dhe kërkon mjaft përkushtim deri në implementimin e duhur të saj. Zbatuesit e këtij vendimi, të cilët janë të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, në veçanti Fakulteti i Edukimit, kanë filluar reformimin rrënjësor. Ky fakultet si pikënisje ka pasur shqyrtimin e planeve dhe programeve, pikërisht për të përgatitur mësimdhënës për shekullin 21, ngritjen e kapaciteteve të vazhdueshme profesionale në nivel të profesoratit, bashkëpunime ndërkombëtare në nivele universitare, si dhe sigurimin e cilësisë në mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies dhe nxënies.
Ky mobilizim synon të arrijë ndryshimin tërësor të arsimit, pikërisht në përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm, në përputhje me zhvillimet e fundit të shkencës dhe teknologjisë.
Prandaj një mobilizim i tillë medoemos do të reflektojë në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, në të mirë të gjeneratave të reja për edukim bashkëkohor dhe orientim të duhur profesional të tyre.
Përgatitja e mirëfilltë e mësimdhënësve të ardhshëm është element shumë i rëndësishëm për sigurimin e një të ardhme të ndritur të vendit, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojë edhe në ngritjen ekonomike.
Vizioni i ri drejt edukimit cilësor do të jetë mjaft premtues edhe për ekonominë e vendit, sepse edukimi i fëmijëve qysh në hapat e parë të edukimit të institucionalizuar na shpie drejt krijimit të ndërmarrësve të ardhshëm të suksesshëm.
Pra, edukimi dhe dija janë çelësi i zhvillimit ekonomik dhe i përmirësimit të cilësisë së jetës së individit apo edhe të shoqërisë.
Edukimi nuk duhet të shihet si një mekanizëm për të mbajtur fëmijët jashtë rrugës. Apo vetëm për të dhënë certifikata kualifikimi si dëshmi të përfundimit të një niveli të shkollimit. Në vendet me traditë të lashtë të shkollimit universitar, njerëz me diplomë ka shumë. Ajo që i duhet një shoqërie dhe një ekonomie për t’u zhvilluar janë njerëzit e aftë!