Kritikoi qeverinë dhe udhëheqësin suprem islamik në internet
Një bloger 35-vjeçar në Iran, i cili kishte disa kohë që kritikonte qeverinë në internet, raportohet se vdiq nga torturat, pasi u arrestua nga një njësi e policisë e quajtur njësia kundër krimit kibernetik, raporton “Reuters”. Në një blog të fundit para se të arrestohej, Sattar Beheshti pati deklaruar se fjalimi i Ajatollah Ali Khameneit përballë Lëvizjes së Vendeve Asnjanëse, ishte “përplot me gënjeshtra”.
Më 29 tetor të këtij viti, blogeri tha se kishte marrë kërcënime ku i kishin thënë se së shpejti nëna e tij do të vishej me të zeza. Një ditë më pas, u arrestua. Trupi i tij i sakatuar iu dorëzua familjes së tij një javë më vonë. Disa të burgosur të tjerë kontrabanduan një letër nga burgu, ku bënë të ditur se ai kishte vdekur gjatë torturave. Vrasja e blogerit, i cili sapo kishte filluar të merrej me politikë dhe nuk dihet të ketë dalë më herët nëpër protesta, solli një valë të re protestash në internet kundër regjimit të këtij vendi, i cili arriti të shtypë vitin e kaluar një përpjekje për revolucion pa dhunë nga popullata e vet.
Zyrtarët e Teheranit nuk marrin as mundimin të mohojnë akuzat për torturë. “Ky individ u rrah, por nuk u rrah në mënyrë të tillë që t’i shkaktohej vdekja”, deklaroi prokurori i përgjithshëm, Hossein Mohseni-Ejehi. Por gjatë ditëve të fundit, shtatë policë u arrestuan dhe shefi i policisë kundër “krimit” kibernetik u pushua nga puna.
Ndërsa presioni ndërkombëtar po rritet mbi programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet ekonomike po rëndojnë jetesën në vend, udhëheqësit e Teheranit po shqetësohen nga perspektiva e krijimit të më shumë pakënaqësive të brendshme, ndërkohë që vendi do të përballet me zgjedhje presidenciale në qershor 2013.