Aleanca Kuq e Zi ka dënuar ashpër dënimin e katër shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët u dënuan nga gjykata me një vit burg nën akuzën për nxitje të urrejtjes racore dhe prishje të rendit kushtetues.


“Valon Kurtishi, Rinor Sllova, Petrit Ibrahimi dhe Tonus Papraniku, katër shqiptarë të cilët vizatuan me rastin e 99 vjetorit, më 28 nëntor 2011 hartën e Shqipërisë etnike në qytetin e Tetovës u shpallën fajtorë dhe tani janë detyruar të fshijnë hartën e Shqipërisë etnike. Pikërisht për këtë akt katër shqiptarët e Maqedonisë që janë drejtues të degës së Aleancës Kuq e Zi në Maqedoni, për një vit me radhë, u kërcënuan fizikisht dhe verbalisht nga autoritetet policore dhe shërbimet sekrete maqedonase.


Katër drejtuesit e Aleancës Kuq e Zi u ndaluan dhe u morën në pyetje gjatë 365 ditëve të fundit më shumë së 50 herë, nuk u lejuan të kalojnë kufirin drejtë Shqipërisë dhe nën presion iu kërkua shumë herë të fshihnin hartën e Shqipërisë Etnike të vizatuar me rastin e 99 vjetorit të festës së pavarësisë së Shqipërisë”, ka denoncuar në emër të AK-së, Sekretarit Organizativ, Redi Rama.


Kuqezinjtë kanë akuzuar autoritetet diplomatike të Tiranës zyrtare se nuk kanë reaguar asnjëherë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.”Aleanca Kuq e Zi shpreh keqardhjen që diplomacia e gjunjëzuar e shtetasit Sali Berisha nuk i doli kurrë për Zot dhe në mbrojtje të bashkëkombasve tanë në trojet e tyre etnike. Në Shqipërinë veriore shqiptarët kërcënohen për themelim të “Republika Sërbska’s”, në Shqipërinë jugore me qindra shqiptarë nuk lejohen të kalojnë kufirin nga policia tekanjoze e Greqisë, në Shqipërinë juglindore shqiptarët arrestohen dhe kërcënohen dhe dënohen me burg për vizatimin e hartës së Shqipërisë etnike. Çfarë bën shteti shqiptarë për bashkëkombasit e tij, vetëm hesht dhe asgjë më shumë. Shqiptarët pas një shekulli pavarësi vijojnë të trajtohen si mos më keq dhe kjo si rrjedhoje e një qeverisje aspak dinjitoze dhe që mbi të gjitha nuk përfaqësëhon interesat e shqiptarëve por ato të haraçeve dhe pazareve të pista”, ka thënë Rama.


27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)