Funksionet


Vendimi në janar. Energjinë elektrike e siguron korporata. Çekët, kundër


Kompania publike KESH do të luajë disa funksione të rëndësishme për garantimin me energji elektrike të vendit, detyrë kjo që e kryente CEZ para se të shpallte falimentin. Nga ana tjetër, ERE po punon për dosjen e largimit të shoqërisë çeke, duke i hequr licencën, vendim që pritet të merret në mesin e muajit janar.


Qeveria vendosi dje që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) të importojë energji elektrike jo vetëm për të mbuluar rezervën hidrike (prodhimin vendas), por edhe humbjet në rrjet (detyrë që i takon CEZ). “KESH do të importojë energji elektrike, për periudhën nga data 1.1.2013 deri më 1.3.2013, për garantimin e furnizimit të pandërprerë të konsumatorëve me energji elektrike në vend dhe mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes”, thuhet në pikën e parë të vendimit, kurse më tej saktësohet se, “Kostot financiare të importit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes sipas pikës 1, të këtij vendimi, t’i faturohen shoqërisë “CEZ Shpërndarje”, Tiranë”. Sipas përllogaritjeve, KESH-it i duhet të importojë rreth 8 milionë kilovat energji elektrike në ditë, dhe nisur nga çmimi i megavatit, afro 55 euro, vlerësohet një faturë prej afro 40 milionë euro. Këto para, KESH do t’i sigurojë nga bankat me anë të kredive, por do të shlyhen nga CEZ, përfshi edhe interesat, fakt që shoqërisë çeke nuk i shkon për shtat. “Nëse faturën do ta paguajë CEZ, atëherë qeveria të na i kalojë ne fondet për ta blerë vetë energjinë, ndoshta më lirë se KESH”, thotë shoqëria “Shqip”.


CEZ i detyrohet KESH-it rreth 140 milionë për energjinë elektrike që kjo e fundit e ka furnizuar. Shoqëria çeke thotë se nuk është në gjendje të mirë financiare, ndaj nuk mund të blejë energji elektrike.


Në një kohë kur “CEZ Shpërndarje” ka pranuar zyrtarisht se nuk mund të plotësojë kushtet e vendosura nga Enti Rregullator i Energjisë për mbajtjen e licencës, burime pranë ERE thonë për “Top Channel” se kompania tashmë ka hyrë në procesin e heqjes së licencës. Pasi ka shqyrtuar pretendimet e kompanisë çeke, ERE ka hartuar raportin përfundimtar që në bazë të ligjit bëhet publik 1 muaj pas përfundimit të afatit për plotësimin e kushteve, rreth datës 20 janar 2013. Kompanisë “CEZ” iu dha fillimisht një afat 30-ditor, kohë gjatë së cilës duhet të reflektonte mbi situatën e krijuar dhe të plotësonte kushtet e vendosura nga ERE si rifillimin e importit të energjisë elektrike; dorëzimin e bilancit financiar të audituar për vitin 2011; ndalimin e ndërprerje kolektive të energjisë dhe normalizimin e bilanceve financiare. Por, në përfundim të këtij afati, kompania deklaroi se nuk mund të plotësonte kushtet për shkak të gjendjes së vështirë financiare në të cilën ndodhet e që sipas saj ka ardhur pikërisht për shkak të vendimeve penalizuese të autoriteteve shqiptare dhe bllokimit të llogarive bankare.


Në letrën zyrtare dërguar ERE-s, kompania përmend gjobat masive të tatimeve dhe madje në letër pretendon se edhe vendimet e gjykatave kane qenë gjithmonë kundër saj, duke e çuar “CEZ Shpërndarje” në gjendjen e një kolapsi financiar. Ditët e fundit kompania ka qenë në qendër të akuzave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, e cila ka bërë përgjegjëse CEZ për ndërprerjet e energjisë elektrike në vend duke deklaruar se qeveria ka importuar energji elektrike, por se kufizimet vijnë për shkak të sistemit të shpërndarjes që nuk ka kryer investimet e duhura.


A.K


Avokati


400 mijë euro për arbitrazhin


Qeveria vendosi dje t’i akordojë Ministrisë së Drejtësisë një buxhet prej 400 mijë eurosh, për mbulimin e pagesës së shpenzimeve për kontraktimin e konsulentit ndërkombëtar për asistencën për rastin e shoqërisë “CEZ Shpërndarje”. Këto para do t’i përdorë Avokati i Shtetit për gjyqin e arbitrazhit ndaj CEZ-it.


 


Privatizimi


HEC-et i blen privati, bashkë me fitimet, korporata shlyen borxhet


Kreditë e marra për rehabilitimin e katër hidrocentraleve që qeveria ka nxjerrë në shitje do të shlyhen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Mbi 23 milionë euro borxhe të përdorura si investime në hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistrica I&II, do të shlyhen nga kompania publike KESH. Privati do t’i marrë me llogari zero, pa asnjë detyrim edhe pse këto borxhe janë përdorur për të rehabilituar plotësisht hidrocentralet në prag të privatizimit. Kjo nuk është hera kur qeveria i shet asetet publike në këtë mënyrë. Edhe kur privatizoi kompaninë e shpërndarjes së energjisë ajo ndoqi të njëjtën skemë. Të gjitha borxhet e OSSH në atë kohë iu kaluan korporatës së prodhimit të energjisë. Rezultati në të dyja rastet është i njëjtë, privatizim i përfitimeve, kalim i humbjeve te qytetarët, përmes rrënimit financiar të korporatës publike të prodhimit të energjisë. KESH do të shlyejë borxhet e marra për katër hidrocentralet, ndërkohë që nuk do të mund të arkëtojë dot asnjë të ardhur prej tyre, pasi ato tashmë i kalojnë privatit që i blen. Në tenderin e zhvilluar pak ditë më parë nga Ministria e Ekonomisë, oferta më e lartë për të katër hidrocentralet së bashku ishte rreth 109.5 milionë euro.


Por, mbi 21% e çmimit është borxh. Shlyerja e tyre, që tashmë do të bëhet nga paratë e KESH ose buxhetit, e ul çmimin në vetëm 86.5 milionë euro. Pak më shumë se 1 milion euro për megavat të instaluar, kur vetëm pak muaj më parë HEC-in e Lana Bregasit, me fuqi 5 MW ia shiti Ndërmarrjes së Ujësjellësit 15 milionë euro, tre herë më shtrenjtë për çdo mega të instaluar. TCH