Kryeministri maqedonas akuzon udhëheqësit e opozitës për komplot në rrugët e vendit
Sinisa Jakov Marusic BIRN
Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, akuzoi dje opozitën politike në vend se po përpiqet të organizojë një grusht shteti, pasi opozita njoftoi bojkotimin e Parlamentit dhe bëri thirrje për mosbindje civile. “Synimi ynë kryesor është të rivendosim rendin kushtetues dhe demokracinë… ky regjim totalitar duhet të rrëzohet”, deklaroi Branko Crvenkovski, kreu i Partisë Socialdemokrate të Maqedonisë.
Opozita u ka bërë thirrje mbështetësve të vet të bllokojnë rrugët dhe njoftoi për një manifestim tjetër të shtunën para zyrave të partisë në pushtet VMRO-DPMNE. E pashqetësuar shumë nga protestat e opozitës, mazhoranca ia doli të miratojë ligjin për buxhetin e shtetit 2013, pasi kishte përzënë me forca policie deputetët e opozitës, por edhe gazetarët, nga salla e Parlamentit.
“Dje, ne pamë përpjekjen e parë të dështuar të Crvenkovskit për një grusht shteti”, tha Gruevski. “Për shkak se ai ka deklaruar se do të vijojë me skenarin e tij fatal, ne jemi përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve tanë si edhe Kushtetutën e ligjet”, shtoi ai.
Maqedonia u përfshi nga përplasjet civile mes grupimeve të mbështetësve të mazhorancës dhe opozitës gjatë ditës së hënë. Qeveria organizoi mbështetësit e vet për të protestuar paralelisht me mbështetësit e opozitës, ndërsa në të gjithë Maqedoninë forcat policore punuan për të ndaluar autobusët e mitingashëve të opozitës që të mbërrinin në Shkup.
Branko Crvenkovski është një ish-komunist që themeloi Partinë Socialdemokrate në Maqedoni pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ai u bë Kryeministër mes viteve 1992 dhe 1998, si dhe mes viteve 2002 dhe 2004, kohë në të cilën u bë president. U largua si president në vitin 2009. Gjatë kohës kur ishte kryeministër në vitin 1995, ai urdhëroi heqjen e flamujve shqiptarë nëpër ndërtesat qeveritare në zonat e banuara nga shqiptarët, gjë që shkaktoi përplasje masive të dhunshme me një të vrarë dhe shumë të plagosur. Në atë kohë ai vendosi edhe urdhra për ndalimin e mbishkrimeve në shqip mbi dyqanet e shqiptarëve e masa të tjera represioni dhe në përgjithësi në atë kohë shqiptarët jetuan në një situatë frike.
Gruevski konsiderohet përgjithësisht një udhëheqës i së djathtës nacionaliste në Maqedoni dhe aktualisht është në aleancë me Partinë Bashkimi Demokratik për Integrim, një parti që u krijua nga Ushtria Kombëtare Çlirimtare, UÇK e Maqedonisë.
Konflikti politik në Maqedoni aktualisht është një çështje që i përket në shumicë dërrmuese popullatës maqedonase, ndërsa shqiptarët po qëndrojnë në hije.