Lufta civile


Komandanti i policisë ushtarake të Sirisë dezertoi nga qeveria e Bashar al-Assad dhe raportohet se është arratisur në Turqi. Lejtënantgjeneral Abulaziz al-Shalal është një nga zyrtarët më të lartë që i është bashkuar kryengritjes kundër regjimit të Sirisë. Sipas tij, ushtria ka dështuar në mbrojtjen e sirianëve dhe është kthyer në një “bandë vrasësish”. Lajmi për dezertimin erdhi pas një bombardimi të tmerrshëm të qeverisë mbi një turmë njerëzish që po prisnin radhën për të blerë bukë.


“Unë deklaroj dezertimin tim nga ushtria, për shkak se ajo ka devijuar nga misioni i vet themelor për të mbrojtur kombin dhe është transformuar në një bandë vrasësish”, tha ai në një mesazh të regjistruar me video dhe të publikuar në internet. Disa burime nga opozita thanë se ky komandant kishte bashkëpunuar me rebelët në mënyrë sekrete që nga fillimi. Ky besohet se është rasti i shumë zyrtarëve të lartë, të cilët bashkëpunojnë fillimisht me opozitën fshehtas para se të dalin publikisht. Por Shalal deklaroi se dezertimet tashmë janë bërë më të vështira, për shkak të ndarjes së palëve në llogore të qarta. “Ka shumë oficerë të tjerë të rangjeve të larta që dëshirojnë të dezertojnë, por situata e përshtatshme për ta nuk është shfaqur ende”, deklaroi ai.


Një zyrtar sirian pa emër konfirmoi dezertimin, por uli rëndësinë duke thënë se gjenerali në fjalë do të nxirrej në pension së shpejti dhe u bashkua me kryengritësit thjesht për të luajtur heroin.


Ndërkohë, bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga OKB-ja nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret dhe analistët thonë se shanset për një zgjidhje kompromisi tashmë po shterojnë. Lufta ka vijuar prej 21 muajsh tashmë dhe grupimet e opozitës thonë se mbi 44 mijë njerëz janë vrarë.