Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar mbledhjen e thirrur sot nga nënkryetari i këtij komisioni, dhe njëkohësisht përfaqësues i PS, Denar Biba. Sipas KQZ-së, kjo mbledhje është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe rregulloren e KQZ.


“Mbledhja e thirrur për sot nga dy anëtarët është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së. Në nenin 22 të Kodit Zgjedhor është përcaktuar se mbledhjet e Komisionit mund të thirren nga kryetari ose të paktën dy anëtarë të tij. Në zbatim të kësaj dispozite dy anëtarë të KQZ-së kanë ushtruar të drejtën për të thirrur mbledhjen duke përcaktuar njëkohësisht edhe rendin e ditës. Referuar nenit të sipërcituar dhe Rregullores për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, konstatojmë se edhe pse e drejta e dy anëtarëve për të thirrur mbledhjen e KQZ-së është një e drejtë e ligjshme, kjo kërkesë duhet të ndjekë procedurën e parashikuar në nenin 19 pika 2, 3 dhe 4 të Rregullores së KQZ-së”, thuhet në reagimin e KQZ-së.


Më tej në sqarimin e KQZ thuhet se mbledhja bie ndesh me rregulloren e KQZ, pasi nuk është përmbushur procedura e nevojshme në raste të tilla, kur parashikohet që kërkesa për thirrjen e mbledhjes të depozitohet tri ditë para gjë, që nuk ka ndodhur në rastin konkret, duke bërë në këtë mënyrë që materialet e parashikuara për këtë mbledhje të mos vihen në dispozicion të anëtarëve të KQZ.


Nisur nga sa më sipër KQZ njofton se kjo mbledhje nuk mund të zhvillohet, pasi bie ndesh me procedurat dhe rregulloren e institucionit.


27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)