Zgjedhjet
Opozita kërkon rikthim për kompromis në KQ
BLEDAR HOTI
Ndarja e 140 mandateve të deputetëve të realizuar në vitin 2009 nuk ka fuqi juridike, ndaj zgjidhja e ngërçit duhet të zgjidhet me konsensus në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky është mendimi i juristëve të Partisë Socialiste, të cilët theksojnë se nëse nuk votohet ndarja e 140 mandateve, atëherë zgjedhjet mund të bien ndesh me parimin kushtetues për zgjedhje të lira dhe ndershme. Pikërisht një diçka është e përcaktuar në nenin 1, pika 3 e Kushtetutës, ku sanksionohet se “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Ndërsa në nenin 64 të Kushtetutës, sanksionohet se: “1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. 2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial. 3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”. Përcaktimin periodik, veç Kushtetutës, e parashikon dhe ligji zgjedhor në nenet 74 dhe 76 të tij. Burimet pranë PS-së shprehen se Kuvendi ka për detyrë të përcaktojë ndarjen e mandateve të deputetëve në çdo katër vite. Një procedurë e tillë realizohet 6 muaj përpara mbarimit të mandatit të Legjislativit.
Neni 76
Kodi Zgjedhor parashikon periudhën se kur realizohet ndarja e 140 mandateve të deputetëve në shkallë republike. “Si rregull, 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile me kërkesë të KQZ-së, dërgon numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve. Në çdo rast, numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në nenin 76. Kodi ka detyruar qartë që Kuvendi 6 muaj përpara fundit të mandatit të tij duhet të miratojë mandatet e Kuvendit pasardhës. Prandaj kushtëzimi është 7 marsi i vitit 2013. Për PS-në e vetmja rrugë është rikthimi i çështjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe miratimin me konsensus të ndarjes së 140 mandateve. Mbi bazën e kësaj logjike, opozita është kundër mënyrë kategorike për idenë e hedhur nga PD-ja se mund të shkohet në zgjedhjet e 23 qershorit me mandatet e aplikuar në zgjedhjet e 2009-s. Vendimi i Kuvendit në 5 mars të rreth katër viteve më parë e ka të përcaktuar që në titull se ai merret “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009”, pra jo se ai zbatohet sa herë që ripërtërihet legjislativi. Pra efektet juridike të këtij vendimi nr. 241, datë 5.3.2009 humbasin efektet juridike me këtë Kuvend.
Ish-kryetari
Kume: S’ka konsensus, të shkohet me variantin e zgjedhjeve të shkuara
Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, në një intervistë televizive për ngërçin e ndarjes së mandateve të 140 deputetëve hedh idenë e aplikimit të skemës së përdorur në vitin 2009. “Në nenin përkatës thuhet si rregull KQZ fillon procedurat në prag të zgjedhjeve të radhës për rillogaritjen e mandateve. Ndoshta mund të përdoret dhe kjo, e në përputhje me të mos ndryshojë e të përdoret po i njëjti numër mandatesh si ato që janë përdorur në 2009-n. Ajo bëhet për të kapërcyer ngërçin që do të thotë që, nëse nuk do të kishte një fjalë të tillë si rregull, atëherë me domosdo duhej zgjidhje se ndryshe nuk shkojmë dot në zgjedhje”, thotë Kristaq Kume.
Anëtarët e PS-së
Biba dhe Shtylla thërrasin mbledhjen për teknologjinë
Dy anëtarët e KQZ-së, Denar Biba dhe Albana Shtylla, kanë thirrur me urgjencë mbledhjen për dy çështje kryesore që kanë të bëjnë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 23 qershorit. Arsyeja e kësaj mbledhje që do të mbahet sot në orën 16:00, lidhet me marrjen e vendimit për nisjen e procedurave për projektet e teknologjisë dhe emërimin e auditive të KQZ-së pranë Ministrisë së Brendshme. Ndërsa ka filluar procesi i hartimit të listave të zgjedhësve, KQZ-ja nuk ka miratuar dy auditet e saj. Një tjetër çështje kruciale e këtyre zgjedhjeve janë vënia në zbatimin e dy procedurave të reja, ajo e numërimit elektronik për zgjedhjet në Qarkun e Fierit dhe për identifikimit elektronik të zgjedhësve për Qarkun e Tiranës. Kostoja e këtyre projekteve llogaritet 5.4 milionë euro. Nëse ato nuk tenderohen brenda muajit dhjetor, teknologjia e parashikuar rrezikon dështimin.