Vëzhgim
Restorantet dhe club-et konkurrojnë njëra-tjetrën. Çmimet nga 4-20 mijë lekë të reja
Shpresa Mezini
Viti 2012, i ashtuquajturi kuqezi, ka qenë i shenjtë për çdo shqiptar, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. 100-vjetori i Shqipërisë shtet, gëzoi të madh e të vogël, për t’ia lënë më pas radhën festimit të Krishtlindjeve, nga të gjithë besimtarët e krishterë. Mirëpo, e madhja e të mëdhave është sidomos nata e madhe e ndërrimit të viteve, ajo që për supersticiozët përcakton fatin e tyre për 365 ditët e ardhshme. Disa nën këtë moto, të tjerë që karakterizohen nga indiferenca, në fund bashkohen në një pikë të përbashkët, te festimi i Vitit të Ri. Urimet apo dëshirat janë nga më të ndryshmet. Ndërsa disa shpresojnë për një vit më të mbarë, të shoqëruar me më shumë të ardhura ekonomike, ka edhe nga ata që janë të kënaqur me ngjarjet që i kanë ndodhur në vitin 2012 dhe ndihen të frikësuar për atë që i pret vitin e ardhshëm. Punët e shtëpisë, blerja e ushqimeve, ku nuk mungon gjeli i detit apo gatime të tjera tradicionale nuk do të mungojnë edhe këtë vit në tryezat shqiptare, ndonëse sivjet dallohet ndjeshëm që shpenzimet do të jenë më të vogla. Por kjo, për një pjesë të familjeve shqiptare, sepse për shumë të tjerë ndodh ekstremi i kundërt, si udhëtimet në disa prej qyteteve më të shtrenjta të botës, siç është Parisi, Milano apo vendet nordike.
Atmosfera festive ndihet pothuajse kudo, edhe në ato familje ku vështirësia e thellë ekonomike nuk i lejon të festojnë siç do të kishin dëshiruar. Kudo, në çdo rrugë, ballkon, oborr shtëpie, institucion privat apo publik, gjen një simbol shumëngjyrësh që reflekton urim e gëzim për një vit sa më të mbarë. Festat kanë nisur prej rreth 2 javësh. Pronarët e disa prej restoranteve në kryeqytet e kanë kuptuar tashmë formulën “magjike” si për të fituar para, ashtu edhe për të pasur klientelë. Prej disa ditësh në postat elektronike, reklamat televizive, apo në fletëpalosje mëson gjithçka mbi festimet e ndryshme që do të organizohen në kryeqytet, ku nuk mungojnë ofertat në pagesa, një nga elementet që shpesh pengon familjarët, të rinjtë e të rejat t’u drejtohen lokaleve me apo pa darkë në mbrëmjen e ndërrimit të viteve.
Ndonëse një vit i vështirë për t’u përballuar ekonomikisht, përvoja ka treguar se shqiptarët janë të pakursyer kur vjen fjala për të festuar, kënduar e kërcyer. Pub-et dhe restorantet po konkurrojnë më së miri njëri-tjetrin. Jo vetëm në çmime, por edhe në meny e oferta. Të gjithë kanë përzgjedhur muzikën, në mos një këngëtar që të këndojë live, një dj. Menaxheri i një prej restoranteve, në një nga rrugët me më shumë lëvizje në kryeqytet, thotë se përgatitjet për mbrëmjen e Vitit të Ri kanë nisur që në fillim të muajit dhjetor, ndërsa kërkesat kanë qenë tejet të larta. “Jemi munduar të bëjmë një çmim të mirë që të jetë i përballueshëm nga të gjithë. Kemi përgatitur një program dhe një meny. Një për preferuesit e mishit dhe një për ata të peshkut. Gjithashtu kemi edhe muzikë live. Përveç menyve klasike ka edhe të veçanta. Për ata që kanë zgjedhur këto oferta, mbrëmja do të fillojë në orën 19:30 me një koktej mirëseardhjeje, ndërsa menyja do të vazhdojë me antipastat e detit, filetot e marinuara të gjuzit apo rizotot, për të vijuar me antipastat e shumëllojshme të mishit dhe për të përfunduar tek ëmbëlsirat”, thotë Arjani. Ai tregon edhe për çmimet, të cilat, sipas tij, janë të kënaqshme dhe të pranueshme për pjesën më të mirë të familjeve. “Në varësi të menysë përcaktohet çmimi. Mesatarja nis me 5 mijë lekë të reja për person, të cilit i serviret meny e thjeshtë, ndërsa për të tjerat, që kanë bazë peshku apo specialet, çmimet fillojnë nga 18 mijë lekë të reja çifti tek 20 mijë lekë të reja. Për fëmijët çmimi përgjysmohet, po në varësi të menysë”, sqaron menaxheri i një prej restoranteve në Tiranë. Çmimet që ofrojnë pub-et janë të shtrenjta, ndonëse nuk përfshijnë ushqimin, pagesa të kushton nga 4-5 mijë lekë të reja për person. E ndërsa në kryeqytet restorantet apo club-et konkurrojnë denjësisht njëra-tjetrën, operatorët turistikë tregojnë për ofertat e çmendura në disa prej vendeve më të shtrenjta të botës. “Për ta festuar Vitin e Ri në Paris, një nga kryeqytetet më të bukura të botës, vetëm për 4 net, ku përfshihet vetëm mëngjesi, pa darkën e Vitit të Ri, duhet të shpenzosh 575 euro për person. Të tilla janë edhe ofertat në Milano, Suedi apo Norvegji që kanë arritur pikun. Sipas të dhënave, rezulton se rreth 15% e shqiptarëve do të “tradhtojnë” atdheun për të festuar Vitin e Ri. Ndonëse është ulur numri i atyre që largohen përtej kufijve, vërehet se destinacionet më të arritshme mbeten Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi apo Greqia, të cilat ofrojnë çmime më të përballueshme për një familje me të ardhura mesatare.
Ushqimet
Recetat “magjike” dhe ushqimet fatsjellëse për darkën e madhe
Në varësi të gjendjes ekonomike, kush më shumë e kush më pak, në muajin e festave familjet shqiptare përpiqen që mbrëmjen e 31 dhjetorit në tryeza të mos mungojë asgjë. Me apo pa dhimbje për ato të shkretat lekë, çdo prind ka kursyer që të paktën atë natë të gjithë të gëzojnë me një tavolinë të mbushur plot, me shpresën se edhe tryezat e vitit të ardhshëm do të jenë plot e përplot. Bakllavaja, në mos e bërë, në përgatitje për ta përfunduar, do të jetë pjesë e çdo tavoline, ndërsa nuk mungon edhe gjeli i detit, apo produkte ushqimore, të cilat konsiderohen si fatsjellëse. Thjerrëzat, shega, arrat, gështenjat, rrushi, mandarinat, peshku apo monedhat prej çokollate janë disa prej përbërësve të tavolinës që nuk duhet të mungojnë kurrsesi.
“Thjerrëzat janë simbol i parave që hyjnë në shtëpi, simbolikisht lënë larg varfërinë. Shega është metaforë e pjellorisë. Rrushi përfaqëson braktisjen nga skamja. Mandarinat janë simbol i përjetësisë dhe ogur i mirë për një jetë sa më të gjatë. Peshku merr kuptime të ndryshme për shtete të ndryshme. Në Gjermani peshku hahet në mesnatë si një formë për të shprehur dëshirat, ndërsa në Japoni vezët e peshkut përfaqësojnë pjellorinë dhe karkalecat jetëgjatësinë”, tregon Toni, kuzhinier në një prej restoranteve më në zë të kryeqytetit. Ai thotë se edhe pse shumë prej nesh e kanë të vështirë të besojnë te të ashtuquajturat besëtytni, praktikisht të gjithë, por sidomos ata që e njohin kuzhinën, e dinë që çdo produkt i sipërpërmendur duhet të jetë pjesë e tavolinës mbrëmjen e ndërrimit të viteve, me shpresën dhe dëshirën e madhe se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë.