Bulqizë


Historia e jetesës së 20-vjeçarit me të ëmën, e cila para tre vitesh i vrau edhe babanë


Duket se fatkeqësitë kanë “vendosur” ta ndjekin hap pas hapi një të ri në qytetin e Bulqizës, i cili ka mbetur fare i vetmuar. Jeton Lezaj, 20 vjeç, banon në lagjen “Minatori” në një kthinë fare të vogël, tip barake, në kushte skandaloze jetese. Vetëm para pak ditëve, atij iu dogj shtëpia nga nëna e tij, Dija, e cila vuan nga probleme mendore dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës për mjekim. I ati, Et’hemi, vdiq para 3 viteve, pasi u masakrua me sqepar po nga Dija, bashkëshortja e viktimës dhe nëna e 20-vjeçarit. Kështu prej disa ditëve Jeton Lezaj jeton në vetmi të plotë, gjë që ka bërë të sulmohet edhe nga hajdutët, të cilët i kanë vjedhur kursimet që kishte mbledhur për të rregulluar shtëpinë.


Historia


I ndodhur në të tilla kushte skandaloze jetese, ai ka kapërcyer etapat e viteve të moshës së tij, duke mos njohur adoleshencën, pasi prej 7 vitesh, ka nisur të punojë për të siguruar jetesën e tij dhe të prindërve. Por duket se fatkeqësitë nuk kanë të sosur për të. Ndërsa ai gjendej në punë për ngarkim-shkarkimin e makinave të kromit, në banesën e tij, nëse mund të quhet kështu kthina ku ai banon, aty rreth orës 19:30 minuta, futen dy vjedhës, duke gjetur e marrë plot 5.5 milionë lekë të vjetra. Edhe pse fare i ri, duket se nën peshën e halleve, ai është pjekur para kohe. “I kisha grumbulluar këto lekë nga puna që bëja nga ora 07.00 e mëngjesit deri në orën 20.00 të mbrëmjes, duke ngarkuar e shkarkuar makina me mineral kromi të firmave private”, thotë për “Shqip”, 20-vjeçari. “Veç punës sime, këto kursime ishin edhe të babait tim, si dhe pensionit të invaliditetit të nënës sime të sëmurë. I ruaja për të ndërtuar një shtëpi, që të jetoj edhe unë si gjithë njerëzit, por ja që nuk ishte e thënë”, thotë me sy të përlotur ai. Të gjithë banorët e kësaj lagjeje, konfirmojnë me dhimbje vjedhjen e shtëpisë së Jeton Lezajt. “Ka qenë ora rreth 19:30 minuta kur na u fikën dritat në lagje dhe dolëm jashtë për të parë se ç’po ndodhte. Dëgjuam zhurmë dhe pamë të dalin dhe të largohen dy persona nga shtëpia e Jetonit. Dukeshin të rinj, por nuk mundëm t’i shquajmë, për shkak të errësirës”, thonë banorët e lagjes. Mësohet se në banesë kanë ardhur edhe forcat e policisë, të cilët kanë nisur hetimet për gjetjen e vjedhësve. Sipas burimeve nga policia, mësohet se për këtë ngjarje deri më tani është ndaluar një i ri adoleshent, emri i të cilit nuk bëhet me dije, për shkak të hetimit. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale është gjetur e sekuestruar një daltë dhe një çekiç që është përdorur për hapjen e valixhes, ku 20-vjeçari i vetmuar mbante shumën e lekëve prej 5.5 milionë lekësh të vjetra. H. L.