Gremina fiskale
Presidenti Barak Obama u kthye menjëherë pas Krishtlindjeve në Uashington në përpjekje për të arritur një kompromis urgjent për paketën fiskale që është bllokuar dhe që mund të krijojë shumë probleme për amerikanët, duke filluar nga java e ardhshme. Por aktualisht asnjë ligj specifik në lidhje me këtë çështje nuk është planifikuar deri më sot të diskutohet as në Kongres dhe as në Senat, ku puna pritet të rifillojë nesër. Investitorët po ndjekin nga afër bisedimet, nga frika se një dështim i mundshëm do të kthejë ekonominë amerikane në recesion.
Disa anëtarë të Kongresit thanë se një masë modeste e minutës së fundit për të shmangur uljen e shpenzimeve dhe rritjen e taksave mund të miratohet në senatin e kontrolluar nga demokratët nëse republikanët bien dakord të mos përdorin një bllokim procedural të njohur si filibaster, një angazhim që kreu republikan i Senatit, Mitch McConnell nuk e ka dhënë ende. Por për të fituar miratimin në Kongresin e kontrolluar nga republikanët, një kompromis mes dy palëve do të duhet të arrihet, gjë që në fakt ka ndodhur shumë rrallë. Të 191 demokratët në kongres do të duhet të marrin edhe votat e së paku 26 republikanëve. Disa nga këto vota mund të vijnë nga të 34 kongresmenët republikanë, të cilët, ose janë duke dalë në pension, ose kanë humbur rizgjedhjen dhe do të dorëzojnë postin në fillim të janarit.
Në rast se nuk ka marrëveshje, amerikanët do të përballen me mbi 600 miliardë dollarë taksa shtesë dhe rreth 110 miliardë dollarë shkurtim shpenzimesh, masa që të dyja palët dëshirojnë t’i shmangin.