Vendimi – Nga janari do t’i atashohen administratës një numër punonjësish me kontratë të përkohshme
Qeveria Berisha mori dje vendimin për të punësuar në mënyrë të përkohshme 691 punonjës me kontratë të përkohshme vitin e ardhshëm. Pavarësisht se direktivat e Komisionit Europian janë të forta për sa i përket ndalimit të punonjësve me kontratë të përkohshme, qeveria vijon t’i kryejë këto punësime me të njëjtin ritëm dhe pa e ulur atë. Kjo praktikë duket se ndihmon ekzekutivin për të lënë sa më shumë qytetarë të kënaqur për sa i përket punësimit, ndonëse për në një kohë të shkurtër. Në prag të fushatës zgjedhore duket se kjo praktikë i shërben akumulimit të sa më shumë votave. Këtë vit është interesant fakti se në mënyrë të përkohshme punonjës do të punësojë edhe Shërbimi Informativ Kombëtar. Në vendimin e djeshëm të qeverisë theksohet në mënyrë të qartë se një nga institucionet kryesore ku pritet të punësohen këta qytetarë është Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Po kështu këta punonjës së rinj pritet të punësohen edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave dhe kjo bëhet në kuadër të procesit të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë, detyrë që koordinohet nga këto dy ministri. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit është një tjetër strukturë e cila pritet të punësojë në mënyrë sezonale. Një tjetër institucion ku do të punësohen këta qytetarë është edhe Instituti i Statistikës, ku të punësuarit në mënyrë të përkohshëm nevojiten për statistikat e ndryshme që zhvillohen. Sipas vendimit, efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korente të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2013, të njësive të qeverisjes qendrore. “Përjashtim bëjnë ALUIZNI, QTTB, punonjësit e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe SHISH, ku efektet financiare përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit. Efektet financiare për pozicionet e kontraktuara për periudhën kohore vjetore fillojnë më 1 janar 2013”, sqarohet në vendim të qeverisë, i cili i hap rrugë punësimit në nisje të vitit tjetër.
SHISH – Këtë vit është interesant fakti se në mënyrë të përkohshme punonjës do të punësojë dhe Shërbimi Informativ Kombëtar