Lideri i socialistëve Edi Rama i ka cilësuar si përralla deklaratat e kryeministrit Sali Berisha në foltoren e Parlamentit. Sipas Ramës, kryeministri jeton në një botë tjetër, ku çdo gjë është perfekte dhe gjithçka që nuk shkon i atribuohet opozitës.


“KM jeton në një botë tjetër ku ka punësim për të gjithë, ku paraja nuk mungon në asnjë shtëpi e ku për investimet e huaja është parajsë… Në atë botë ka veç një problem: Opozita! Gjithçka tjetër për zili: Rrogat, pensionet, çmimet, prodhimet, rendi, shërbimet…Ah të mos qe opozita!”, shkruan Rama në faqen e tij zyrtare në “Twitter”.


Më tej Rama ka ironizuar ftesën e Berishës për të votuar për Partinë Demokratike, në zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të ardhshëm.


“Prandaj dhe KM u thotë shqiptarëve në qershor votoni për botën time, jo për botën tuaj! Mbyllni sytë dhe fluturoni pas meje larg problemeve!”, shkruan Rama.


27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)