Programi – Kreu i opozitës shqiptare ka bërë një rezyme të vitit 2012, duke theksuar se ekonomia ka shkuar tatëpjetë


Borxhi – Rama theksoi se borxhi është thelbi i qeverisjes jo vetëm në publik, por edhe në borxhin e qytetarëve


Shtyllat – Rama theksoi se opozita do të kishte si thelbësore rimëkëmbjen, shkriminalizimin e ekonomisë dhe punësimin


Premtimi – Lideri i opozitës: Koncesionet e energjisë dhe “Albpetrolit”, dalje në tregun e zi


Fatjona Mejdini


“Ne kemi një synim ambicioz për të krijuar mundësinë e 300 mijë vendeve të punës, duke u fokusuar në industrinë prodhuese”


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vendosur të ndajë me gazetarët vizionin e tij për qeverinë e re të vendit që, sipas tij, do të drejtohet nga socialistët pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të 2013-s. Në një bashkëbisedim me gazetarët pasditen e djeshme, Rama e vuri theksin te vizioni i tij, por edhe tek ato vendime të ndërmarra nga qeveria “Berisha” që do të zhbëhen me ardhjen në pushtet të socialistëve. Kështu, kreu i PS-së i konsideroi të errëta privatizimet e bëra në vend, duke nisur që nga sektori i naftës dhe duke përfunduar me katër hidrocentralet e fundit që kanë dalë në privatizim. I ashpër më së shumti, Edi Rama u tregua për sa i përket privatizimit të katër hidrocentraleve në vend, Ulëza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, duke u bërë thirrje investitorëve të mos marrin pjesë në garë, pasi ky koncesion do të anulohet me ardhjen në pushtet të socialistëve. “Ne nuk do ta njohim privatizimin e këtyre 4 hidrocentraleve, u them ofertuesve, të mos shkojnë më tutje në këtë proces. Nuk do të lejojmë që këto pasuri të shqiptarëve të grabiten, për shkak të keqqeverisjes, e cila nuk mund ta mbajë më shtetin në këmbë”, theksoi prerë Rama. Sipas tij, tregu i koncesioneve në Shqipëri do të rishikohet me kujdesin më të madh në kohën kur të vijnë në pushtet, pasi një pjesë e madhe e tyre janë dhënë në funksion të tregut të zi. “Klientë të pushtetit i marrin këto letra dhe dalin në treg dhe i shesin, ne do të mbështesim shumë fort, do të bëjmë një plan paketash lehtësuese për të gjithë ata koncesionarë që i kanë fituar këto koncesione se i meritojnë. I takonte kësaj qeverie në ikje të ndiqte gjithë procesin e koncesioneve. Ato janë dhënë në funksion të një tregu të zi”, shtoi Rama. Të dyshimtë dhe të errët Rama e konsideroi edhe privatizimin e “Albpetrolit”, po kështu dhe kompanisë së naftës ARMO.


“Privatizimi i ‘Albpetrolit’ ishte një proces i errët, mënyra se si u konsultua privatizimi ka mungesë të theksuar transparence. Ministri i Financave gati sa se thotë që ka humbur çdo shpresë, ndërsa Kryeministri është i zënë me kokën e Ali Pashës, po përgjegjësinë kush e mban. ARMO është një aset tjetër i privatizuar për të mosfunksionuar. Nuk ka një vend që ka një pasuri kombëtare si nafta dhe ku ka një rafineri ikën për t’u përpunuar jashtë. Kjo është e qëllimshme”, deklaroi Rama, duke shtuar se qeveria e tij do të ndërhyjë shumë thellë me ligje në këtë sektor jetik për vendin. Sipas Ramës, vetëm një rilindje kombëtare mund t’i mbrojë shqiptarët nga vjedhja e pasurisë së tyre. Në fjalën e tij në përgjigje të gazetarëve, Rama tha se Shqipëria është zyrtarisht në krizë dhe se i mungojnë të gjitha elementet burimore si pasojë e keqmenaxhimit. Sipas tij, qeveria e tij do të arrijë të punësojë menjëherë shumë shqiptarë që sot vërtiten rrugëve. “Sot ne kemi deficite skandaloze në sigurimin e ushqimeve për popullsinë. Kemi deficite skandaloze për sigurimin e energjisë elektrike, edhe pse vendi ynë është i pasur me burime ujore. Sfida jonë për një rilindje shqiptare është ngushtimi i këtyre deficiteve. Nga ngushtimi i këtyre deficiteve vjen edhe rritja e mirëqenies. Ne kemi një synim ambicioz për të krijuar mundësinë e 300 mijë vendeve të punës, duke u fokusuar në industrinë prodhuese, në zhvillimin rural dhe në shërbime”, deklaroi Rama. Ai foli edhe për nacionalizimin e Berishës, duke theksuar se deklaratat e tij po minonin marrëdhëniet me fqinjët.


 


Ringritja – “Sfida jonë për një rilindje shqiptare është ngushtimi i këtyre deficiteve. Nga ngushtimi i këtyre deficiteve vjen edhe rritja e mirëqenies”


Plani urbanistik – Rama kritikoi planin urbanistik të Tiranës, duke e cilësuar si një plan katastrofik, që mbyll çdo dritare të së ardhmes së kryeqytetit. Ai theksoi se plani do të kthehet mbrapsht


Pakti detar – Sipas Ramës, duhet gjetur rruga e arsyes mes palëve dhe vija duhet vendosur aty ku ndahet realisht kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë


Fieri – “PS-ja nuk e ka harruar Fierin. Kjo çështje është e rendit ligjor, për sa kohë që qeveria do të refuzojë të zbatojë një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë, sigurisht që ne nuk do t’i votojmë 2 ligjet”


Koalicionet – “Koalicioni është si një tango dhe tangoja luhet me dy vetë. Por ne nuk jemi në një situatë normale. Prandaj ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me çdo forcë opozitare, apo që pranon të jetë e tillë”