Aleanca Kuq e Zi e cilëson si delirante qëndrimet e kryeministrit Sali Berisha në lidhje me vendimin e FIFA-s për njohjen e ekipit kombëtar të Kosovës. Pandi Tole, kreu i AK-së për degën e Fierit, ka deklaruar se kryeministri po tregohet i zellshëm për të shpërndarë kombëtaren shqiptare, e cila përbëhet nga shumë futbollist nga Kosova.
“Pak ditë më parë Federata Botërore e Futbollit, FIFA, mori vendimin që kombëtarja e Kosovës të lejohet të luajë ndeshje miqësore me kombëtaret e vendeve të tjera, një akt ky i përshëndetur me shume emocione nga shtetasi Sali Berisha, i cili pati deklaruar se mezi pret të shohë përballjen e parë të kombëtares së Kosovës së bashku më shumë tifoza kuqezi. Parimi “Një komb, Një kombëtare” është shkërmoqur nga zelli Berishian për ta ndarë përfaqësuesen tonë të futbollit dhe largimin e futbollistëve më të spikatur nga fanella kuqezi.
Si mundet që shtetasi Sali Berisha në të njëjtën kohë që kërkon të unifikojë pasaportat e kombit shqiptarë për bashkëkombasit dhe nga ana tjetër përshëndet një vendim të FIFA, pasoja e të cilit do të ndihet menjëherë tek kombëtarja aktuale e Shqipërisë, pasi shumë lojtarë janë shqiptarë nga Kosova të cilët kanë deklaruar se me krijimin e kombëtares së Kosovës do të largohen drejtë saj. Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar muaj më parë nga të dyja federatat shqiptarë të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë unifikimin e kampionateve të futbollit ndërsa shtetasi Berisha përshëndet ndarjen zyrtare të spektrit të sportit dhe kulturës me dy Shqipërive. Sigurisht shtetasi Berisha kërkon të jetë i pari në fshatin e tij dhe po rrënon fushat e futbollit në pallate, ligën e futbollit në vatër bastesh dhe korrupsioni si dhe ndarjen e kombëtares kuqezi në ndasi mes dy shteteve shqiptare”, ka theksuar Tole.
28 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)