“Gjyqi i ‘21 Janarit’ po falsifikohet”


Alma Rrudhi – Ish-bashkëshortja e Ziver Veizit kërkon mbështetje financiare për rritjen e dy fëmijëve të mitur. Thotë se s’ka asnjë përkrahje dhe prej disa muajsh nuk ka marrë rrogën në Bashkinë e Fierit


Klajdi dhe Ana – Përkatësisht 16 dhe 13 vjeç ende ndiejnë dhimbje për tragjedinë në familjen e tyre. Sipas Almës, në momentin që dëgjojnë lajmet për gjyqin e 21 janarit ndihen shumë të trishtuar


Çaush Veizi – Vëllai i Ziver Veizit kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gazeta kontaktoi me nipin e viktimës, i cili është shumë i indinjuar për zbardhjen e ngjarjes, që ndodhi para kamerave


Silvana Muça


“Çështja gjyqësore për ‘21 Janarin’ po falsifikohet. Jam e shokuar dhe e mpirë nga shpjegimet që eksperti ka dhënë në lidhje me predhën që goditi për vdekje ish-bashkëshortin tim, Ziver Veizi. Ai ka thënë se predha ka qenë rikoshet dhe në trupin e Ziverit janë gjetur mikroashkla. Edhe unë që s’jam eksperte dhe nuk marr vesh nga armët, e kuptoj se plumbi nuk merr ashkla, por djeg gjithçka që i del përpara. Këtë gjë e dinë edhe vetë ekspertët, të cilët po manipulojnë vrasjen e Ziverit. Jam shumë e lënduar dhe e vrarë dhe nuk mund të lejojë që kjo çështje të mbyllet kaq lehtë”. Reagimi vjen nga Alma Rredhi, ish-bashkëshortja e një prej viktimave të ngjarjes së 21 janarit. Ajo është shprehur mjaft e indinjuar për zhvillimin, pasi ka dëgjuar komentet e bëra nga ekspertët, që po tentojnë të ndihmojnë dy të akuzuarit, Andrea Prendi dhe Agim Llupo. Ndonëse kanë kaluar afërisht rreth dy vite nga vrasja, dhimbja në familjen e tij, është e papërshkrueshme. Fëmijët e viktimës, Klajdi dhe Ana, përkatësisht 16 dhe 13 vjeç nuk kanë arritur që ta zbusin dhimbjen, për humbjen e babait, përkundrazi janë mjaft të zhgënjyer nga mënyra e të bërit “drejtësi”. Përveç humbjes së babait, ata po vuajnë edhe neglizhencën e qeverisë, e cila po tregohet mjaft indiferente.


Nëna e tyre thotë se fëmijët ndihen krejtësisht të braktisur dhe me të gjitha mënyrat ajo po përpiqet që të zbusë zemrat. “Të rrisësh fëmijët pa praninë e babait, është një barrë shumë e rëndë. Ai mungon në çdo moment dhe kanë mall për babanë e tyre. Më vjen shumë keq për fëmijët e mi që po përjetojnë një situatë të tillë. Klajdi dhe Ana janë të ndjeshëm dhe vetëm shpirti im e di se ç’jam duke vuajtur. Ana e cila është më e vogël, nuk arrin që ta harrojë tragjedinë që i ka rënë për pjesë. Mbrëmë, pasi pa konkluzionet e nxjerra nga ekspertët e gjykatës, nuk pushonte së qari. Nuk e pranon faktin që vrasja e të atit, të mbetet pa autor. Fjeti në të njëjtin krevat me mua dhe më lagu rrobat e trupit nga lotët. Të dy janë mjaft të rënduar nga ana psikologjike. Nuk e di, nëse ma kupton njeri hallin që kam”, vijon ajo të flasë, me lot në sy.


Alma Rrudhi thotë se edhe nga gjendja ekonomike është shumë dobët. Ndonëse punon në Bashkinë e Fierit, paga që merr është  shumë e ulët. Më të ardhurat mujore nuk është në gjendje që të plotësojë nevojat, për rritjen e Klajdit dhe Anës, të cilët shkojnë në shkollë. Barra financiare është rënduar më shumë, pasi prej disa muajsh nuk ka marrë pagën, prej krizës ekonomike që ka mbërthyer vendin. E veja ndihet e braktisur nga të gjithë, duke thënë se askush nuk i ka zgjatur dorën, për të ndihmuar nga ana financiare, madje as nga qeveria.


“Askush nuk ka trokitur në derën time, që të më ndihmojë nga ana financiare. Çdo gjë ka mbetur mbi shpatullat e mia. Fëmijët janë e vetmja forcë që më mbajnë të gjallë dhe më ndihmojnë që të eci përpara, në një situatë të tillë”, thotë Alma për gazetën “Shqip”. Pavarësisht mënyrës së proceseve gjyqësore që po zhvillohen, ajo ka besim që një ditë drejtësia shqiptare do të nxjerrë në dritë, autorët e vrasjes së e babait të dy fëmijëve të saj, Ziverit, i cili mbeti në vend i vdekur prej plumbit që mori në trup, në kohën që ishte duke marrë pjesë në protestën para Kryeministrisë. Në të kundërt ajo thotë se do të vazhdojë në instancat më të larta gjyqësore, për të kërkuar zbardhjen e së vërtetës. Ekspertët shqiptarë, duke u bazuar te ligjet e fizikës, dinamikës dhe aerodinamikës, kanë përcaktuar se predha që goditi për vdekje Ziver Veizin, më 21 janar 2011, ndoshta ka qenë rikoshet, duke dhënë një version në favor të të pandehurve në procesin gjyqësor që është hapur ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Ata kanë dalë në përfundimin se në plumbin që është gjetur te trupi i gjirokastritit ka pasur mikroashkla, ndoshta të shkaktuara nga rikosheti i saj në një pishë brenda rrethimit të Kryeministrisë që ka devijuar predhën drejt Veizit. Megjithatë, një tjetër version për ashklat, ka qenë se ato mund të kenë ndjekur plumbin, madje edhe me shpejtësinë e tij. Në seancën gjyqësore të 21 janarit, të zhvilluar dy ditë më parë ndaj Andrea Prendit dhe Agim Llupos, ekspertët shqiptarë kanë dalë në konkluzionin se predha që goditi për vdekje Ziver Veizin, ka qenë rikoshet. Këto shpjegime të bëra në seancën gjyqësore të zhvilluar dy ditë më parë, ndaj Prendit dhe Llupos, kanë shokuar familjarët e viktimës.


 


 


Kërkesa


Familjarët e Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit kërkonin të ishin palë në hetim dhe gjykim


Vrasjet në bulevard, në Gjykatën e Strasburgut


Fëmijët e Ziver Veizit, Klajdi dhe Ana, si dhe vëllai i Hekuran Dedës, i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, pas mohimit që i bëri Gjykata e Tiranës për pjesëmarrjen në seancat gjyqësore të 21 janarit. Në fillim të muajit dhjetor, ata kanë bërë një kërkesë drejt Gjykatës së Strasburgut, për shkelje të anës procedurale të nenit 2 të KEDNJ, për mohim të pjesëmarrjes në seancat gjyqësore. Mësohet se fëmijët e Ziver Veizit dhe vëllai i Hekuran Dedës, dorëzuan në Gjykatën e Tiranës kërkesën në kohën e duhur, duke paguar dhe një pjesë të taksës së padisë. Pamundësia e tyre për të paguar të gjithë vlerën që do të korrespondonte 3% të vlerës së padisë, i mjaftoi seksionit penal të Gjykatës së Tiranës që t’u mohonte minorenëve aksesin në drejtësi. E njëjta gjë ka ndodhur edhe më Çaush Veizin dhe Zabit Dedën, sepse dy personave iu mohua e drejta për akses në dosjen e të njëjtës çështje. Pas dy kërkesash drejtuar prokurorisë, Çaush Veizi dhe Zabit Deda me asistencën e avokatëve iu drejtuan gjykatës. Pas 9 seancash gjyqësore, në të cilat prokuroria mungoi qëllimisht, duke injoruar thirrjet e njëpasnjëshme të gjyqtares Regleta Panajoti, çështja u pushua për shkak se ndërkohë filloi paralelisht çështja e njohur si “21 Janari” në Gjykatën e Tiranës. Në kushte të tilla, 4 personat e lartpërmendur iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut dhe janë në pritje të përgjigjes së Gjykatës  Ndërkombëtare.