Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, si përgjigje të akuzave të këshilltarëve të majtë për planin urbanistik, i ka kërkuar paraardhësit të tij, Edi Rama të kërkojë ndjesë, që e la Tiranën 11 vjet pa plan.


“Së pari, mendoj se para se të flasë për planin urbanistik, i cili pas 23 vitesh i ofrohet qytetarëve të Tiranës, z. Rama, në pozitat e ish-kryetarit të Bashkisë duhet të shpjegojë se çfarë e pengoi ose çfarë nuk e motivoi, që ta bënte këtë plan në 11 vite. Së dyti, mendoj se bashkë me shpjegimin, çfarëdo të jetë justifikimi, do të ishte e arsyeshme të kërkonte ndjesë për mungesën e planit, që i ka sjellë kaq shumë dëme qytetit dhe veçanërisht në zhvillimin pa planifikim dhe në trajtimin e pabarabartë të pronës së qytetarëve”, ka thënë Basha.


Më tej kreu i bashkisë së kryeqytetit i ka kërkuar liderit të socialistëve të mos përdorë gjuhën e kërcënimit për banorët e Tiranës, sepse do të ndërshkohet me votë. “Shpreh keqardhjen që ka zgjedhur gjuhën e kërcënimit, në veçanti për komunitetet autoktone dhe komunitetet e vjetra që përfitojnë nga ky çlirim i planit, nga paragjykimet apo ato instrumente që u përdorën për të “ngrirë” zhvillimin e pronës së tyre. Ndërkohë që prona të tjera u zhvilluan, pronat e tyre u “ngrinë” me justifikime të paqëndrueshme, zona monumentale, ndërkohë që ishin prej kohësh zona në nevojë të madhe për zhvillim dhe së katërti, jam i bindur se qytetarët e Tiranës e kanë refuzuar një herë gjuhën e konfliktit politik, gjuhën e kërcënimit dhe çdo zgjedhje individuale apo politike e z. Rama, për të rikthyer kërcënimet ndaj banorëve të Tiranës, jam i sigurt se do të marrë përgjigje të njëjtë, sa herë që të ketë zgjedhje”, ka thënë Basha.


Kreu i bashkisë së Tiranës i ka bërë këto deklarata gjatë nisjes së punimeve për rindërtimin e shkollës së re “Ahmet Gashi” në Laprakë. Realizimi i projektit parashikohet të përfundojë në nëntor të vitit 2013 dhe do të kushtojë rreth 225 milionë lekë. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, njëherësh deputet i zonës, Aldo Bumçi.


28 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)