Vendimi 


Gjykata civile e Tiranës ka vendosur sekuestro konservative mbi llogaritë bankare dhe asetet e sekuestrueshme të shoqërisë “CEZ Shpërndarje sh.a” për shumën e mbi 2 milionë eurove. Masa e sigurimit u vendos me kushtin që kërkuesi, shoqëria rumune “SC AEM” të paraqesë padi në gjykate brenda 15 ditëve për shqyrtimin e çështjes në themel.


Objekti i padisë, sipas dokumentit që zotëron “TCH” është marrje mase për sigurim padie, duke vendosur bllokimin e llogarive bankare dhe aseteve të CEZ-it në vlerën e mbi 2 milionë eurove. Sipas gjykatës, kërkuesi është një shoqëri që merret me prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve matëse. Një marrëveshje e lidhur me personin e tretë, kompaninë CEZ, më 4 gusht 2011, e ka furnizuar shoqërinë me matës individuale të energjisë që kapin vlerën e 2 milionë e 531 mijë e 302 euro.


Por, kompania rumune pretendon se CEZ-i nuk e ka kryer shlyerjen e mallrave të furnizuara. Në gjykatë kompania CEZ ka pretenduar se është e vërtetë që nuk i ka shlyer detyrimet, por ka deklaruar se vendosja e kësaj mase sigurimi do të vështirësonte furnizimin me energji në Shqipëri.


CEZ është shprehur se me krijimin e hapësirave do ta paguante këtë detyrim. Por, gjykata vendosi që pretendimi i CEZ-it se vendosja e masës së sigurisë vështirëson shërbimin ndaj publikut është i pabazuar sepse sipas gjykatës, CEZ nuk paraqiti ndonjë provë të vërtetojë këtë fakt. Gjykata çmon se “CEZ”-i ka asete të sekuestrueshme dhe për këtë masa e sigurimit me sekuestro do të vendoset në asete të tilla. Gjykata thotë se sekuestro konservative vendoset mbi llogarite bankare me vlerën e mbi 2 milionë eurove gjë që lejon operimin normal të tyre.


 


Vlera e aseteve të bllokuara kap shifrën e 2 milionë euro, bazuar nga ankesa e një kompanie rumune për detyrime të papaguara