SHBA


Ish-presidenti George H.W. Bush, i cili udhëhoqi koalicionin që përzuri forcat ushtarake irakiane nga Kuvajti më 1991, është nën kujdes intensiv mjekësor në një spital në Huston të Teksasit, njoftoi zëdhënësi i familjes Jim McGrath dje. Ish-presidenti 88-vjeçar, u shtrua në spital për bronkit më 23 nëntor. “Presidenti është i gjallë dhe bashkëbisedon me stafin mjekësor, si dhe është i rrethuar nga familja”, tha McGrath në një deklaratë.


“Për shkak të disa problemeve, përfshirë temperaturë të vazhdueshme, Presidenti Bush u pranua në një njësi të përkujdesit intensiv në spitalin Methodist të dielën, ku mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm”, tha McGrath. “Mjekët në spital vijojnë të jenë optimistë të përmbajtur mbi ecurinë e deritanishme të mjekimit”.


Një zëdhënës i spitalit tha në mes të dhjetorit se ish-presidenti pritet të shkojë në shtëpi për Krishtlindje, por më vonë ai shtoi se mjekët besonin se duhej të vijojë të fitojë fuqi para se të kthehet në shtëpi. Bush vuan nga parkinsoni në pjesën e poshtme të trupit, gjë që i shkakton humbje balance. Ai ka përdorur një karrige me rrota për më shumë se një vit. Ai ka shërbyer si Presidenti i 41-të i SHBA-së, një republikan që e mori pushtetin në vitin 1989 dhe shërbeu vetëm një mandat. Ai është babai i ish-presidentit George W. Bush. Para se të bëhej President, Bush i vjetër ka shërbyer si kongresmen dhe si ambasador i SHBA-së në OKB. Mes posteve të tjera, ka mbajtur atë të drejtorit të CIA-s, si dhe ka qenë zëvendëspresident për dy mandate nën Presidentin Ronald Reagan.