Nëna: Poliklinika në Durrës kreu analizat 12 orë me vonesë
Neglizhenca e mjekëve dyshohet se i ka marrë jetën një vajze, vetëm 7 vjeçe, për shkak të diabetit. Vajza e mitur ka ndërruar jetë dje pasdite në Tiranë, por gjithçka ka nisur pak ditë më parë në Durrës, ku mjekët nuk i kanë bërë një analizë për të parë se çfarë kishte ajo, por papritur e pamenduar i kanë bërë një serum, duke përkeqësuar situatën shëndetësore të saj. Bëhet fjalë për Arsela Vladin, e cila kishte ardhur në gjendje të rëndë nga Durrësi dhe ka ndërruar jetë dje pasdite në spitalin e pediatrisë në kryeqytet. Mësohet se vogëlushja 7-vjeçare vuante nga diabeti, ndërsa vdekja i ka ardhur nga një goditje në tru. Pas ngjarjes së rëndë, prindërit akuzojnë mjekët e Durrësit për neglizhencë. Nëna e saj, Alma Vladi, është shprehur për mediat se neglizhenca e mjekëve i mori jetën vajzës së saj. Sipas saj, vajza është shtruar ditën e martë në pediatrinë e Durrësit dhe mjekët nuk e kanë kuptuar që ajo vuante nga diabeti, ndërsa shton se ka pritur 12 orë që vajza të vizitohej. “Poliklinika qendrore në Durrës nuk kreu analizat ditën e hënë. Kur e çova në pediatrinë e Durrësit, vajza ishte rëndë. Mjekët e spitalit të Durrësit vonuan 12 orë vizitën ndaj vajzës. Të mërkurën e nisëm për në Tiranë, por ishte shumë vonë”, tregoi ajo, vetëm pak momente, pasi ka ndërruar jetë vajza e saj. Ndërsa babai i vogëlushes, Ilir Vladi rrëfen se nuk ka ndërmend të denoncojë mjekët, por apelon që ata të tregojnë më shumë kujdes për jetën e njerëzve, i bindur se vdekja e vajzës erdhi për neglizhencë të tyre. “Unë nuk do denoncoj mjekët, por apeloj në drejtim të tyre. Të kenë kujdes me jetët e njerëzve, nga neglizhenca e tyre ikin jetë njerëzish”, u shpreh babai i saj. Për ngjarjen e djeshme, menjëherë ka reaguar qendra spitalore “Nënë Tereza”, sipas së cilës, pacientja 7-vjeçare ka mbërritur aty rreth orës 14:00 të së mërkurës. “Ajo është pritur nga mjekët e urgjencës, në shërbimin e Pediatrisë në QSUT dhe pas konsultës së specialistëve është vendosur që pacientja e vogël të shtrohej në shërbimin e reanimacionit. Gjendja e saj ka qenë e rëndë dhe për këtë arsye është mbajtur në terapi intensive. Vajza vuante nga diabeti i fshehur. Sëmundja ka qenë tip i rrallë dhe agresiv dhe kjo ka sjellë edhe shkatërrimin e organeve, goditje të trurit për shkak të luftimit që i ka bërë sëmundja qelizave”, sqaroi zyrtarisht Qendra Spitalore Universitare. Pacientja e vogël, pasi është paraqitur në spitalin e Tiranës ka bërë edhe analizat, të cilat kanë vërtetuar se ajo vuante nga sëmundja e diabetit. “Sëmundja zbulohet me një analizë të thjeshtë gjaku, mjekët e Durrësit duhet të bënin ekzaminimet e nevojshme për të arritur më pas në përcaktimin e diagnozës”, sqaruan mjekët pediatër. Por, mjekët e spitalit të Durrësit kanë heshtur mbi këto deklarata që bien mbi ta, për neglizhencën që kanë treguar. Nga burimet pranë spitalit të këtij qyteti mësohet se pa pyetur shumë e pa i bërë analiza, ata i kishin bërë edhe një serum 7-vjeçares, duke i përkeqësuar gjendjen e për pasojë ajo është nisur me urgjencë për në Tiranë, ku ndërroi jetë.