Taulant BallaPartia Socialiste ka vijuar akuzat ndaj familjes së kryeministrit Sali Berisha, por kësaj radhe duke zgjeruar më tej rrethin familjar. Në një dalje publike nga selia rozë, deputeti Taulant Balla, deklaroi se ka edhe anëtarë të tjerë të familjes Berisha që janë miliarderë.


“Sot, do u tregojmë shqiptarëve të ardhurat e të afërmve të tjerë të kryeministrit. Daja i fëmijëve të Saliut zotëron pasuri përrallore, ndërsa mbesa e Liri Berishës, Elvana Hana, ka vënë mënjanë pasuri disa miliardëshe. Çdo anëtar i familjes së Saliut është miliarder. Si ka mundësi që shqiptarët e thjeshtë janë në krizë, ndërsa familja Berisha ka vënë shuma marramendëse mënjanë? Saliu t’i japë përgjigje shqiptarëve se cilat janë bizneset që kanë kërkuar konsulencën e Argitës dhe ndërmjetësinë e Shkëlzenit”,- theksoi.


Deputeti Balla kërkoi edhe njëherë dorëheqjen e kryeministrit Berisha, duke theksuar se ai duhet të marrë përsipër përgjegjësinë ligjore dhe të dorëhiqet për t’i hapur rrugën hetimit të plotë.


28 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)